Studimet e pjesshme, zbardhen kuotat që propozojnë universitetet për vitin 2009-2010
Jonida Tashi
Zbardhen kuotat e pranimit që propozojnë tre universitetet e kryeqytetit për studimet me kohë të pjesshme. Në total, tre universitetet, ai i Tiranës, Politekniku dhe Bujqësori propozojnë 2480 kuota pranimi për vitin akademik 2009-2010. Por, pavarësisht kërkesave të këtyre të fundit, për kuotat e pranimit në sistemin e pjesshëm, qeveria ka vendosur që t’i ndjekin vetëm 3 mijë studentë. Si gjithmonë, pjesa më e madhe e kuotave, jo vetëm për studimet me kohë të plotë, por, edhe për ato me kohë të pjesshme do t’i takojë universitetit më të madh në vend për nga numri i studentëve që është ai i Tiranës. Konkretisht Universiteti i Tiranës ka kërkuar plot 1590 kuota pranimit për studimet me kohë të pjesshme gjatë vitit akademik 2009-2010. Por kësaj shifre do t’i shtohet edhe një numër tjetër i konsiderueshëm studentësh, që do të pranohen në degën e Biologjisë, që edhe këtë vit do të jetë pa limit pranimesh. Burime nga Universiteti i Tiranës (UT) bëjnë të ditur se këtë vit, pranimet pa limit do të jenë vetëm në degën Biologji, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Ndërkohë që një vit më parë, pranimet pa kufi përveç Biologjisë, kanë qenë edhe në dy degë të Fakultetit Ekonomik, Administrim Biznesi dhe Financë-Kontabilitet. Por mbylljes së pranimeve pa limit në degët e Ekonomikut, drejtuesit e UT-së i janë përgjigjur duke çelur për herë të parë këtë vit, studimet me kohë të pjesshme pranë Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Infermierisë. Aktualisht, të gjitha fakultetet e Universitetit të Tiranës, kanë bërë gati propozimet e reja për studimet e pjesshme, të cilat pas rishikimit në Rektorat, janë dërguar për miratim në Ministrinë e Arsimit.
Shpërndarja
Totali i kuotave të pranimit që do të ofrojë UT-ja për studimet e pjesshme është shpërndarë sipas gjashtë fakulteteve në varësi të tij, ku do të ndiqen këto studime. Krahasuar me vitin e kaluar, shifra e propozuar këtë vit, për studimet e pjesshme është disa herë më e lartë se ajo e vitit të shkuar akademik, dhe kjo për vetë faktin se janë çelur studimet e pjesshme edhe në dy fakultete të tjera të UT-së. Drejtuesit e UT-së kanë vendosur që këtë vit të hapin për herë të parë studimet e pjesshme në Fakultetin e Infermierisë dhe në Fakultetin e Shkencave Sociale. Tek Infermieria studimet e pjesshme do të ofrohen për degën Infermieri e Përgjithshme, për të cilën janë propozuar 300 kuota pranimi. Ndërsa për dy degët e Fakultetit të Shkencave Sociale, Punë sociale dhe Psikologji, ku sërish çelen për herë të parë studimet e pjesshme janë propozuar 240 kuota pranimi, të ndara në mënyrë të barabartë sipas degëve, me nga 120 kuota secila. Ndërsa përsa i përket numrit më të lartë të kuotave të pranimit për studimet e pjesshme në Universitetin e Tiranës, përsëri këtë vit në krye të listës do të vazhdojë të jetë Juridiku, me 400 të tilla, shifër kjo e njëjtë me atë të vitit të kaluar. Pas Juridikut, për numrin e lartë të kuotave të pranimit vjen Fakulteti i Histori-Filologjisë, me 450 kuota pranimi në total, por që të ndara sipas degëve pranojnë një numër dy herë më të vogël studentësh se Drejtësia. Për tri degët e Filologjikut, ku do të ofrohen studimet e pjesshme, përkatësisht Histori, Gjeografi dhe Gjuhë-Letërsi propozohen 150 kuota pranimi për secilën prej tyre. Ndërsa dy degët e Ekonomikut, Administrim Biznesi dhe Financë-Kontabilitet, që vjet kanë pranuar studentë pa limit për studimet e pjesshme, këtë vit do të marrin vetëm nga 100 pranime për secilën degë.
Bujqësori
Pas Universitetit të Tiranës, një numër të konsiderueshëm kuotash pranimi për studimet e pjesshme ka propozuar edhe një universitet tjetër i kryeqytetit, Bujqësori. Për vitin akademik 2009-2010, Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT), i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit, që në këtë sistem studimi të pranohen 900 studentë, nga të cilët pjesën më të madhe të tyre do t’i ketë sërish Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, si edhe ai i Bujqësisë dhe Mjedisit. Ky i fundit, megjithëse në total ka një shifër më të lartë kuotash pranimi për studimet e pjesshme, karshi fakulteteve të tjera të Bujqësorit, 330 të tilla, shpërndarja e kuotave sipas degëve, duke qenë se janë shtatë të tilla është më e kufizuar se Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, që ka 300 kuota në total, ose 100 pranime për secilën degë. Ndërsa dy fakultetet e tjera të Bujqësorit që ofrojnë studime me kohë të pjesshme, do të kenë një numër më të vogël pranimesh. Kështu, Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit ka propozuar 100 kuota pranimi për dy degët e tij që ofrojnë studime të pjesshme, kurse Fakulteti i Shkencave Pyjore, 120 të tilla. I vetmi universitet që ofron një numër tepër të kufizuar kuotash pranimi për studimet me kohë të pjesshme është ai i Politeknikut, i cili për vetë natyrën e tij të studimit e ka të pamundur ta ofrojë këtë program studimi. Gjithsesi, për të plotësuar një pjesë të vogël të kërkesave të të rinjve që kanë dëshirë të studiojnë në këtë universitet, drejtuesit e Politeknikut kanë hapur vetëm një program studimit të përafërt me atë të kohës së pjesshme që është Edukimi në distancë. Ky program studimi ndiqet në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, pranë Universitetit Politeknik, në drejtimin Inxhinieri Logjistikë Prodhimi. Për këtë program të studimi që ndiqet në distancë dhe qëndron midis atij të ditës dhe të pjesshmit për nga mënyra e ndjekjes së studimeve, Universiteti Politeknik ka propozuar 40 kuota pranimi. Regjistrimi në sistemin e studimeve me kohë të pjesshme do të nisë në muajin nëntor, fill pas përfundimit të fazave të pranimit në ciklin e parë të studimeve në institucionet e arsimit të lartë publik në vend. Përzgjedhja e fituesve për studimet e pjesshme do të bëhet nga një grup i posaçëm, i ngritur në fakultetet përkatëse, ku kriter bazë për përzgjedhjen e kandidatëve do të jetë mesatarja e shkollës së mesme ku ata kanë përfunduar, si edhe kuotat e miratuara nga Këshilli i Ministrave.
Kuotat që propozojnë tre universitetet e Tiranës
Universiteti i Tiranës
Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë 450
Gjuhë-Letërsi 150
Gjeografi 150
Histori 150
Fakulteti i Ekonomisë 200
Administrim biznesi 100
Financë-Kontabilitet 100
Fakulteti i Infermierisë 300
Infermieri e përgjithshme 300
Fakulteti i Shkencave të Natyrës
Biologji pa limit
Fakulteti i Shkencave Sociale 240
Punë Sociale 120
Psikologji 120
Fakulteti i Drejtësisë 400
Juridik 400
Universiteti Bujqësor i Tiranës
Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit 300
Menaxhim Agrobiznesi 100
Ekonomi dhe Politikë Agrare 100
Financë-Kontabilitet 100
Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit 330
Mbrojtje bimësh 50
Hortikulturë 50
Prodhim Bimor 50
Zootekni dhe biznes blegtoral 50
Akuakulturë dhe Menaxhim peshkimi 50
Agromjedis dhe Ekologji 50
Agromekanizim 30
Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit 100
Teknologji agroushqimore 50
Vreshtari dhe enologji 50
Fakulteti i Shkencave Pyjore 120
Mbarështim Pyjesh 60
Inxhinieri Përpunim Druri 60
Universiteti Politeknik i Tiranës
Kuotat për studimet me kohë të pjesshme
Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike
Inxhinieri Logjistikë Prodhimi 40
Juridiku dhe Shkencat Sociale
Universiteti i Tiranës përcakton ambientet e mësimit për studentët
Sikurse çështja e miratimit të masterave, edhe për ambientet e studimit, ka mjaftuar deklarata e rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, që problemi të zgjidhet. Kështu, vetëm një ditë pas deklaratës publike të bërë nga Kule, për vonesat në tender për gjetjen e ambienteve ku do të studiojnë studentët e Juridikut dhe ata të Shkencave Sociale, qeveria i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së tij. Ditën e djeshme, Rektorati i Universitetit të Tiranës (UT) njoftoi se është zgjidhur problemi i mjediseve për studentët e Fakultetit të Drejtësisë dhe të Fakultetit të Shkencave Sociale. Drejtoria e Komunikimit pranë UT-së bëri të ditur zyrtarisht se pas kërkesës së universitetit, është arritur gjetja e tre mjediseve alternative për zhvillimin e mësimit për këto fakultete. Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale do ta zhvillojnë mësim në një prej godinave të Universitetit Ushtarak “Skënderbej”. Ndërkohë, studentët e vitit të parë dhe të dytë të Fakultetit të Drejtësisë do ta zhvillojnë mësimin në mjediset e “Kinoklubit” të Qytetit Studenti, dhe ata të vitit të tretë dhe vitit të katërt do ta zhvillojnë mësim në një godinë të Fakultetit të Infermierisë, të vendosur në dispozicion vetëm për këta studentë. Drejtoria e Komunikimit saktëson se prej ditës së hënë të gjithë studentët do ta nisin mësimin në Universitetin e Tiranës në mjedise të përshtatura për zhvillimin e veprimtarisë akademike. Nga ana tjetër, Rektorati i Universitetit të Tiranës garanton të gjithë studentët e Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Sociale se nuk do të hasin problem gjatë vitit të ri akademik për ambientet e zhvillimit të mësimit.
Ambientet ku do të zhvillohet mësimi
Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale do ta zhvillojnë mësim në një prej godinave të Universitetit Ushtarak “Skënderbej”
Studentët e vitit të parë dhe të dytë të Fakultetit të Drejtësisë do ta zhvillojnë mësimin në mjediset e “Kinoklubit” të Qytetit Studenti
Studentët e vitit të tretë dhe vitit të katërt të Fakultetit të Drejtësisë do ta zhvillojnë mësim në një godinë të Fakultetit të Infermierisë
12 Tetor 2009