E Diel, 1 Nëntor 2026

Procesi i madh, akuza lexon kërkesën për gjykim. Dhjetëra akuza dhe viktima

Një numër rekord dëshmitarësh janë kërkuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në procesin gjyqësor ndaj të akuzuarve si anëtarë të bandës së Durrësit. Organi i akuzës ka kërkuar 193 persona për të dëshmuar në këtë proces me përmasa mjaft të mëdha, ku po gjykohen 17 të pandehur. Në krye të listës së dëshmitarëve qëndron Adriatik Coli, por prokurori do të thërresë për të dhënë deklarimet e tyre edhe 11 nga të pandehurit e tjerë. Ndër emrat e tjerë të njohur që do të thirren me statusin e dëshmitarit do të jenë edhe Fjorentina Kotori, Leonard Murataj, Erald Bajramaj, etj. Ndërkaq, në kërkesën për gjykim janë renditur dhjetëra akuza për të pandehurit e bandës, si dhe shumë emra viktimash. Sipas prokurorisë nga viti 1998 deri në vitin 2002 Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullaj, Adriatik Coli, Endrit Dokle, Bujar Gashi, si dhe Klodian Saliu, Ilir Xhunga, Arben Paja, që janë vrarë kohë më parë kane qenë anëtarë të një organizate të vetme kriminale të drejtuar nga Berisha dhe Saliu. Më pas mes drejtuesve ka pasur konflikte si pasojë e mosmarrëveshjeve në lidhje me kontrollin e trafikut të drogës dhe kontrollin e pasurive të vëna nga këto trafiqe duke çuar në ndarjen e tyre. Akuza vazhdon se pas kësaj ndarjeje Klodian Saliu mori drejtimin e organizatës në përbërje të së cilës ishin shtetasit Endrit Dokle, Adriatik Coli etj. Pas vrasjes së Klodian Saliut, në shkurt të vitit 2005, sipas prokurorisë Endrit Dokle dhe Dritan Coli morën drejtimin e bandës. Ata dyshonin se vrasjen e kishte kryer Lul Berisha në bashkëpunim me Indrit Taullain dhe Plaurent Dervishajn. Dokle e Coli, akuzohen se kanë vrarë pas kësaj ngjarjeje, Avni Gashin për të cilin dyshonin se kishte ndjekur Saliun natën e vrasjes. Më tej kanë vijuar një sërë atentatesh të dështuara për të vrarë Lul Berishën, deri sa është mbërritur edhe në ndarjen midis Dokles dhe Colit, i cili tashmë ka fituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Në seancën e ardhshme pritet qëndrimi i palës mbrojtës lidhur me akuzat e bëra në kërkesën për gjykim, si dhe listën e dëshmitarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›