Topi: Media, e politizuar
Presidenti Bamir Topi ka konfirmuar mungesën në samitin e Novi Sadit për shkak të mosthirrjes së presidentit kosovar, Fatmir Sejdiu. Unë kam paralajmëruar mospjesëmarrjen në samitin e Novi Sadit. Në këto takime kemi qenë dhe faktorë moderacioni për të gjithë situatën që është krijuar në Ballkan. Mund të konfirmoj se në datat 23 dhe 24 të këtij muaji kam ftuar në Vlorë presidentin Sejdiu, presidentin e Maqedonisë dhe presidentin e Malit të Zi për të diskutuar problemet tona, theksoi Topi.
Në vijim, presidenti është përqendruar në fushatën elektorale, kodin e ri zgjedhor dhe zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas tij, fushata është në dinamikën e saj dhe nuk ka ngjashmëri me fushatat e tjera, kjo edhe për faktin se kjo fushatë po imponohet edhe nga ligji i ri zgjedhor. Presidenti i ka cilësuar si të shëmtuara rastet e ndryshme të dhunës, duke nënvizuar se këto nuk janë elemente qytetarie, por shtoi se gjithçka është amplifikuar nga politika. Topi hodhi dhe një notë kritike ndaj mediave për qëndrimin e tyre në këtë fushatë zgjedhore, duke veçuar se media ka ceduar në orientime të caktuara politike dhe gati- gati ka marrë orientimin e politikës. Ka gjasa që një grup politik të orientojë një media të caktuar apo një grup tjetër një media tjetër dhe mua nuk do më vinte mirë që kjo tendencë të theksohej. Gati-gati kemi media, që orientohen më shpejt se sa një forcë politike e caktuar. E ke të vështirë të dallosh një parti të djathtë nga një e majtë dhe ka nga ata që marrin pjesë në garë dhe nuk dallojnë dot thelbin e një programi të caktuar, nënvizoi presidenti Topi, duke mbështetur kodin e ri zgjedhor.