E Shtunë, 31 Tetor 2026

RENEA dhe mizëri policësh për kanabisin e Lazaratit



Luan Kondi

Gjirokastër- Policia e Gjirokastrës e mbështetur nga Forcat RENEA ka nisur një operacion antiCannabis në Lazarat. Ndërhyrja është bërë në orët e para të mëngjesit të djeshëm në mënyrë të beftë. Uniformat blu kanë hyrë në brendësi të fshatit të njohur për kultivimin e Cannabis Sattivës, ende pa zbardhur mirë dita. Sipas burimeve zyrtare të policisë mësohet se operacioni është koduar “Era e Malit” dhe vjen fill pas paralajmërimit të bërë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, në kohën e vizitës në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës.
Aksioni
Rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm forcat e policisë së Gjirokastrës, RENEA dhe FNSH kanë hyrë në komunën e njohur për kultivimin e lëndës narkotike kanabis, Lazarat. Burimet thanë se ende nuk ka të arrestuar apo të shoqëruar, por do të procedohet për të gjithë të implikuarit pas verifikimit të pronësisë së parcelave ku u gjet Cannabis Sattiva. Fillimisht operacioni ka nisur mbi lagjen Kordhocë dhe ka vazhduar deri në brendësi të fshatit Lazarat, duke konsumuar të gjithë informacionin që disponohej për kultivim të bimëve narkotike. Kanë përfituar nga qetësia e orëve të para të mëngjesit për të hyrë në komunën e njohur për kultivimin e lëndës narkotike dhe të ndërmarrin operacionin e paralajmëruar një ditë më parë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ahmet Premci. Si rezultat i këtij operacioni janë evidentuar 19 parcela të mbjella me bimë narkotike, të cilat ishin në oborret e shtëpive, banesa të abandonuara dhe në territoret përreth këtyre nbanesave. Gjithsej janë evidentuar dhe asgjësuar 8105 rrënjë bimë narkotike të llojit Cannabis Sattiva, të cilat varionin nga 180 centimetra deri në 220 centimetra të larta.
RENEA “me kosore”
Lazarati, i njohur si një ndër komunat me problematike në kultivimin e bimëve narkotike, mbetet zona ku forcat blu ndërhyjnë vetëm me ndihmën e forcave të RENEA-s. Asgjëkund nuk ndodh që efektiva kaq speciale të aktivizohen për operacione që mund të kryhen nga policitë lokale e madje nuk do të kishte nevojë as edhe për to nëse do të zbatohej ligji që ndalon kultivimin e bimëve narkotike. Sa herë që duhet për të treguar forcën e policisë aksionet spektakolare i rezervohen elitës policore. Megjithatë kryespecialët shqiptarë të RENEA-s dina të zgjidhin situatën. Ata kanë realizuar një operacion të suksesshëm dhe në përfundim të tij janë asgjësuar mbi 8 mijë rrënjë bimë narkotike. Aksioni është zhvilluar në të gjithë fshatin, duke korrur parcela të tëra me hashash. “Aksioni ka vijuar normalisht dhe nuk janë shënuar konfrontime me banorët” - thanë burimet policore, duke shtuar se aktualisht nuk flitet për persona të shoqëruar për akuzën e kultivimit të Cannabis Sattivës.
Kjo është hera e parë për këtë vit që ndërhyhet në këtë fshat për asgjësimin e bimës narkotike.

Situata
Asnjë nga banorët e Lazaratit nuk është vënë në pranga për akuzën e kultivimit të lëndës narkotike pasi në momentin e mbërritjes së policisë, kryefamiljarët janë larguar nga banesat e tyre, si dhe në parcelat përreth nuk u gjet asnjë person. Megjithatë policia ka evidentuar të gjithë pronarët e banesave dhe të parcelave përreth dhe po punon për dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarie kriminale dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve.
Policia bën të ditur se ndërsa kishte nisur aksioni antikanabis janë dëgjuar të shtëna sporadike armësh në periferi të fshatit, por nuk bëhet fjalë për rezistencë të banorëve ndaj uniformave blu.

Kryetari i Komunës Lazarat: “Policia të ndërhynte më shpejt”

Kryetari i komunës së Lazaratit, Dashamir Aliko duke komentuar operacionin e RENEA-s dhe FNSH-së tha për mediat se “Policia duhej të kishte ndërhyrë më shpejt. Sipas tij forcat e policisë bënë një ndërhyrje të specializuar pa krijuar konflikte me banorët e Lazaratit. Aliko nuk harron të përshëndesë edhe bashkëfshatarët e tij për qëndrimin e mbajtur atje ku u gjetën parcela me Cannbis. Aliko pranoi se gjatë operacionit antikanabis në pjesën e Lazaratit të sipërm kishte pasur të shtëna sporadike armësh dhe ia adresoi ato fëmijëve 15- 16 vjeçarë të cilët qëlluan me armë në ajër. Sipas tij policia e komunës dhe administrata mori masa që këto të shtëna të eliminoheshin dhe më pas është njoftuar policia për të filluar hetimi në lidhje me këta persona.

Incidentet e fundit në Lazarat

3 qershor 2008
banorët e Gjirokastrës u terrorizuan nga të shtënat në ajër që vinin nga Lazarati. U dyshua se krismat kishin lidhje me një helikopter të policisë i cili po fluturonte në hapësirën ajrore të fshatit por policia e mohoi.

18 gusht 2004
në një sulm të paprecedentë banorët e Lazaratit qëlluan një helikopter të forcave italiane të NATO-s, i cili po asistonte forcat shqiptare të policisë për identifikimin me synim asgjësimin e parcelave të mbjella me cannabis sattiva në fshatin rebel. Mediat në atë kohë dokumentuan me pamje plumbat që kishin goditur trupin e helikopterit duke vënë në rrezik dhe jetën e pilotëve që drejtonin mjetin fluturues.

Asgjëson 5212 rrënjë bime narkotike edhe në Shkrel

SHKODËR – Policia lokale ka asgjësuar dy ditë më parë në në vendin e quajtur “Cungu i Zi”, në fshatin Duçaj të Komunës Shkrel, 5212 rrënje Cannabis Sattiva. Burimet thanë për gazetën se gjithçka u realizua falë një operacioni të efektivave të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër. Të njëjtat burime saktësuan se u gjetën dhe u asgjësuan 9 parcela të mbjella me bime narkotike. Këto parcela ishin mbjellë në një pjesë malore të pyllëzuar, në një distance prej 2 kilometrash larg fshatit Duçaj. U kryen veprimet procedurale nga grupi hetimor dhe materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Shkodër për hetime të mëtejshme për veprën penale te “Kultivimit të lëndëve narkotike”.

1 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›