E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Otello dhe Desdemonë" te Porcelani, burri vret gruan e më pas veten



Tiranë- Krimi në familje tronditi dje pasdite Tiranën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Porcelan dhe mendohet se motivi i saj është xhelozia. Burime policore thanë për gazetën se 50 vjeçari Hazir Sallahi ka qëlluar me pistoletë për vdekje gruan e tij dhe më pas ka vrarë edhe veten. Sallahi, i cili punonte si polic objektesh në Komisariatin numër 2, dyshohet se ka kryer krimin e rëndë ndaj bashkëshortes pas një grindjeje mes tyre. Debati është dëgjuar nga kalimtarë të rastit të cilët kanë dëshmuar në polici se burrë e grua që ndanin krevatin bashkëshortor nuk kanë mundur të gjejnë gjuhën e komunikimit për momentin. Konflikti i tyre kishte si motiv xhelozinë e Hazirit ndaj Anila Lazes, gruas me të cilën bashkëjetonte. Tonet e larta të bisedës kanë përfunduar menjëherë sapo 50 - vjeçari ka adresuar tek bashkëshortja 2 plumba nga pistoleta e tij e shërbimit. Kur ka parë njeriun e zemrës të shtrirë për tokë dhe mes pellgut të gjakut Sallahi i vetëdijshëm në atë moment për atë që bëri nuk e ka zgjatur shumë, por e ka ndëshkuar veten me tek goditje në kokë duke i dhënë fund edhe jetës së tij. Paraprakisht pistat e para të hetimit flasin për një grindje mes çifti ku 50 - vjeçari ka shkuar për të marrë në punë vajzën me të cilën bashkëjetonte, e cila punonte në një kompleks privat në Porcelan. Në vendngjarje kanë shkuar dhjetëra forca policore dhe ekspertë krimesh të Komisariatit Nr. 2 në Tiranë për të zbardhur arsyet e kësaj tragjedie në kryeqytet.

Shkrumbohet punonjësi i KESH-it, po punonte në kabinën elektrike

TIRANE- Një punonjës elektriku është djegur brenda një kabinë në kryeqytet dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Ngjarja e rëndë që ndodhi këtë pasdite në rrugën Gjergj Legisi, pranë ish-restorant Durrësit për pak sa nuk i mori jetën punonjësit të KESH-it, Shkelqim Sahanit 56 vjeç, i cili po punonte prej orësh në kabinën elektrike, pasi lagjja që prej orës 3 të mëngjesit ishte pa energji elektrike. Forca të shumta policie dhe punonjës elektrikë ndodhen në vendngjarje për të zbuluar nga afër shkaqet e saj. Policia thotë se në kohën kur punonjësi po punonte në kabinë në rrethana ende të paqarta dikush ka ngritur levën elektrike duke sjellë pa njoftuar energji dhe duke rrezikuar jetën e 56 - vjeçarit. Aktualisht i dëmtuari ndodhet në repartin e djegieve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në gjendje të rëndë për jetën.

1 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›