RENEA, përforcime të tjera në Fier
Tri grupe të efektivave të RENEA-s kanë mbërritur pasditen e djeshme në qytetin e Fierit, dhe atë të Roskovecit, për të qenë të gatshëm në ndonjë rast ndërhyrjeje.
Rreth orës 1&:00, efektivët e repartit elitë, janë thirrur për të marrë pajimet dhe për t'u nisur në drejtim të qytetit të Fierit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi. Në pak minuta, efektivët e RENEA-s, janë gjendur në automjetet e tyre, ndërsa ata janë nisur në drejtim të qytetit jugor.
Rreth orës 19:20 minuta, trupat e RENEA-s kanë mbërritur në qytetin e Fierit dhe janë instaluar pranë drejtorisë së Policisë së Qarkut dhe Komisariatit të Policisë së Fierit. Ende nuk dihet nëse efektivët e RENEA-s, ishin nisur me një qëllim të caktuar që më parë, apo janë thirrur nga Prençi, për të qenë të gatshëm në çdo situatë.
Aty trupat iu janë bashkuar edhe disa trupave të tjerë të RENEA-s që kishin mbërritur që mbrëmjen e së shtunës, si dhe të një reparti të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë që ndodhet në territorin e qarkut të Fierit.
Mësohet se grupet e mësipërme kanë qëndruar në gatishmëri, gjatë gjithë kohës, për të ndërhyrë nëse ajo do të ishte e nevojshme dhe do të gjykohej nga krerët e Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë që po ndjekin nga afër hetimet për zbardhjen e krimit të rëndë.
3 orë afërsisht mendohet se ka qëndruar deputeti i vrarë socialist Fatmir Xhindi, në ambientet e lokalit në pronësi të familjes Kuka, në qendër të fshatit Kurjan të Roskovecit.
6 plagë kishte marrë deputeti Fatmir Xhindi gjatë atentatit të organizuar nga persona ende të panjohur ndaj tij, pranë banesë së tij, në qytezën e Roskovecit në Fier.
10 persona në cilësinë e dëshmitarëve që kanë dijeni mbi rrethanat e ngjarjes, janë pyetur nga efektivët e policisë dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda që po hetojnë krimin e rëndë.