E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhindi, vrasësi ka lënë gjurmë në një kuti aspirine

TIRANË- Të gjitha shpresat e policisë për të zbuluar identitetin e autorit të vrasjes janë përqendruar në një pako aspirinë tabletë, e cila është konsumuar nga vrasësi përpara krimit të rëndë. Kjo është prova e parë dhe e vetme që mund të drejtojë grupin hetimor të çështjes për të zbuluar se kush është njeriu që ka vrarë deputetin Fatmir Xhindi.

Të dhënat e para tregojnë se ai është një vrasës i vetëm, i cili ka pritur për një kohë të gjatë deri sa deputeti të kthehej në shtëpi. Pikërisht gjatë qëndrimit në pritje, vrasësi ka lënë disa gjurmë të vogla që mund ta tradhtojnë më pas.


Hetuesit e çështjes pohuan dje për "Shekulli"-n se nga këqyrja e vendit të ngjarjes është krijuar edhe një mekanizëm i qartë i vrasjes, por edhe janë marrë disa prova që më pas mund të rezultojnë shumë të rëndësishme për hetimin.

Duke parë pozicionin e viktimës dhe prejardhjen e plumbave, është zbuluar se vrasësi ka qëndruar në pritje brenda shtëpisë së deputetit Fatmir Xhindi. "Ai ka qëndruar i shtrirë në bar, duke pritur që deputeti të kthehej në shtëpi.

Kjo vërtetohet nga shenjat që janë lënë në barin e kopshtit. Madje, nga thellësia e shenjës dhe ngjeshja e barit, mund të themi që ai ka pritur për një kohë të gjatë",- thanë dje hetuesit e çështjes.

Pritja e gjatë e vrasësit, por edhe ankthi i tij, janë vërtetuar edhe nga ajo që deri më tani është prova më e fortë e policisë, një pako aspirine, si dhe qesja që mbështillte atë.

Gjatë pritjes vrasësi ka gëlltitur një prej kokrrave të aspirinës, por ka harruar të vendosë kutinë në xhep. Hetuesit mendojnë se aty ndodhen gjurmët e gishtërinjve të vrasësit dhe për këtë arsye pakoja e aspirinës dhe qesja e plastmasit që e mbështillte, është dërguar në Laboratorin Qendror Kriminalistik.


Hetuesit e çështjes kanë insistuar dje për praninë e një vrasësi të vetëm, i cili i dinte shumë mirë lëvizjet e deputetit. Burime të grupit hetimor pohuan se vrasësi e ka ruajtur prej kohësh Fatmir Xhindin dhe dinte shumë mirë itinerarin e tij dhe për këtë arsye i ka zënë pritë në atë vend.

"Deputeti ka ardhur me makinën e tij deri përpara derës së shtëpisë. Ka dalë nga makina për të hapur derën, që të fuste makinën brenda dhe pikërisht në këtë moment është vrarë",- thanë hetuesit.


Përveç ekspertizës, policia ka marrë në pyetje edhe dhjetë persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes, por deri më tani pa asnjë rezultat konkret.

"Gjatë natës janë shoqëruar dhe pyetur në cilësinë e personave që tregojnë rrethanat e dobishme të hetimit, 10 shtetas. Në orët e mëngjesit ata janë lënë të lirë",- thanë hetuesit. Një tjetër dëshmi shumë e rëndësishme për hetimin e çështjes është edhe ajo e pronarit të lokalit ku deputeti ka pirë kafenë e fundit.

Ai është njeriu që ka parë për herë të fundit gjallë Fatmir Xhindin dhe vetëm pak minuta më pas është kryer vrasja. Ndërkohë deri në orët e vona të ditës së djeshme është vazhduar me marrjen në pyetje të banorëve të zonës.

Duke qenë se Roskoveci është një qytezë e vogël dhe njerëzit pothuajse njihen të gjithë, hetuesit janë përqendruar në zbulimin nëse vrasja është kryer nga ndonjë banor apo person i huaj që mund të ketë ardhur nga jashtë.

Për këtë arsye janë marrë në pyetje fqinjët e deputetit nëse kanë parë ndonjë person të huaj ose të dyshimtë që të lëvizë në lagje. Rezultatet e dëshmive të marra gjatë mbrëmjes së djeshme, nuk janë bërë ende publike.

-------------------------------------------------------------------------------------

Krerët e policisë dhe prokurorisë, takim urgjent në Fier. Ngrihen pistat e vrasjes për konflikte pronësie, biznesi ose personale

Pistat e hetuesve për vrasjen e deputetit


TIRANË- Rëndësia e çështjes ka mbledhur në një takim urgjent, në qytetin e Fierit, krerët më të lartë të institucioneve hetimore shqiptare, të cilët kanë përcaktuar edhe pistat e para.

Kryeprokurorja, Ina Rama, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi, si dhe krerët e disa institucioneve më të vogla, kanë qëndruar kokë më kokë për më shumë se dy orë, duke diskutuar për çështjen.

Mbledhja ka nisur në orën 14.00 dhe ka përfunduar pak përpara orës 17. Burimet nga brenda takimit kanë pohuar dje edhe pistat e para hetimore që ka ngritur policia dhe prokuroria për këtë çështje.

"Po hetohet në tri pista kryesore. E para është ajo e pronësisë dhe të tjerat janë konflikte biznesi dhe konflikte personale.

Për momentin hetimi është ende në fazat e para dhe pothuajse të gjitha pistat janë të hapura. Dalëngadalë do mbledhim prova e më pas do mund të përjashtojmë pistat. Kemi mbledhur shumë dëshmi, por ato duhen analizuar",- thanë dje burime nga brenda takimit mes Kryeprokurores Ina Rama dhe kryepolicit Ahmet Prençi.

Sipas tyre, ka filluar që tani verifikimi i pistave dhe veprimi i parë që është kryer është sekuestrimi i dokumentacionit në lidhje me pronat e deputetit dhe familjes së tij. "Seksioni i krimit ekonomik ka kryer bllokimin e të gjitha dokumenteve të pronësisë në hipotekë.

Edhe pse ka shumë pak gjasa, një nga pistat është ajo e problemeve të pronësisë dhe duhet verifikuar deri në fund. Ndërkohë jemi duke verifikuar edhe dokumente të tjera në lidhje me pronat e deputetit dhe të afërmve të tij",- thanë burimet e policisë.

Ora 16.00


Deputeti Fatmir Xhindi është nisur nga qyteza e vogël e Roskovecit dhe ka shkuar në pronat e tij, ullishte, që ndodhen në fshatin Kurjan, i cili ndodhet rreth shtatë kilometra larg qytetit. Ai është veshur me rroba të thjeshta dhe ka punuar në tokat e tij.

Ora 20.00


Deputeti Fatmir Xhindi ka mbaruar punë në tokat e tij në Kurjan dhe është ulur që të konsumojë një kafe, në një prej lokaleve aty pranë. Ai është ulur në lokalin e Bujar Kukës, ku ka qëndruar për disa minuta duke biseduar me klientët e tjerë.

Ora 20.45


Pronari i lokalit në fshatin Kurjan, Bujar Kuka, ka deklaruar se deputeti është ngritur pasi ka pirë kafenë dhe ka hipur në makinë, duke u nisur për në shtëpinë e tij në Roskovec. Rruga për shtatë kilometrash është përshkuar për gati dhjetë minuta.

Ora 20.55


Deputeti socialist, Fatmir Xhindi, është gjendur përpara shtëpisë së tij, ai ka zbritur nga makina dhe ka hapur derën kryesore për t'u futur brenda. Teksa po kthehej sërish për tek makina, ai është qëlluar nga një breshëri automatiku, që i ka marrë jetën.

Ora 21.00


Të afërmit e deputetit kanë dëgjuar krismat dhe kanë dalë në dritare për të parë se çfarë ka ndodhur. Ata kanë gjetur trupin e gjakosur të Fatmir Xhindit të shtrirë përdhe dhe menjëherë e kanë nisur me një makinë për në spitalin e qytetit të Fierit.

21.05


Të afërmit e deputetit kanë njoftuar vëllanë e tij farmacist në lidhje me ngjarjen e ndodhur. Njëkohësisht, është njoftuar edhe spitali i qytetit të Fierit që të bëhej gati, sepse ishte qëlluar me armë zjarri deputeti i Roskovecit, Fatmir Xhindi.

21.15


Një patrullë e Policisë Rrugore ka parë rrugës makinën që po kalonte me shpejtësi të madhe në drejtim të qytetit të Fierit. Nga kontaktet e marra, policët kanë mësuar se me atë makinë po transportohej deputeti i qëlluar me armë zjarri në Roskovec.


Ora 21.30


Makina që transportonte deputetin Fatmir Xhindi, mbërrin në spitalin e qytetit të Fierit ,por 49-vjeçari ka ndërruar jetë gjatë rrugës. Mjekët pohuan se Fatmir Xhindi ka mbërritur në spital i vdekur. Shkaku: shoku hemorragjik, i shkaktuar nga 6 plumba.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›