Urdhri Mediut që ngriti "ferrin" në Gërdec
Korrespondenca mes ushtrisë, MEICO-s dhe Ministrisë në lidhje me eksperimentin e parë me fishekët në "fabrikën e vdekjes"
TIRANË- Ish- ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka favorizuar kompaninë "Southern Ammunition Company" (SAC) me përfaqësuesin e saj në Shqipëri, shtetasin Rrahman Selmanllari, duke i vënë në dispozicion sasi të ndryshme të municioneve për eksperimentim pa pasur një kontratë mes palëve. Këtë gjë ai e ka kryer në bashkëpunim me Ylli Pinarin duke urdhëruar nisjen e punës në Gërdec dhe eksperimentimin e pajisjeve të SAC.
Në këtë përfundim kanë arritur anëtarët e grupit hetimor të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët pas 12 muajve hetim, kanë bërë të mundur zbardhjen dhe administrimin në dosjen hetimore të urdhrit të ish-ministrit Mediu për lëvizjen e municioneve nga depot ushtarake për t'ia dorëzuar ndërmarrjes "MEICO" e cila do t'i vinte në dispozicion të kompanisë SAC.
Urdhri i parë për këtë gjë është lëshuar nga Ylli Pinari dhe mban nr. 633 më datë 24 prill 2007, tre muaj para nënshkrimit të kontratës mes ndërmarrjes MEICO dhe kompanisë SAC. Kërkesa e të pandehurit Ylli Pinari i drejtohet Shefit të Shtabit, Luan Hoxha, që të dorëzojë një sasi municionesh për provë.
Më konkretisht kërkohen 170 fishekë të kalibrit 12.7 mm; 94 fishekë të kalibrit 14.5 mm dhe 880 fishekë të kalibrit 7.62 x 54 mm. Kjo kërkesë e Pinarit bazohet në vendimin e Këshillit të Ministrave, i cili i hapi rrugë Gërdecit, si dhe një urdhri të ministrit Mediu pikërisht për këtë çështje.
Vetëm dy ditë më pas, një memo e Shtabit të Përgjithshëm të FA i kujton ministrit Mediu se të drejtën për të dhënë municione e ka vetëm ai dhe për këtë arsye duhet një urdhër i firmosur prej tij. Përgjigjja e ministrit ishte "vazhdoni procedurat" dhe për këtë arsye Shtabi ka bërë gati edhe projekturdhrin, i cili vetëm duhej firmosur nga Mediu sikur të ishte i tiji.
Vetëm një javë më pas, më dy maj 2007, ministri Fatmir Mediu ka urdhëruar ushtrinë që të dorëzojë shumën e kërkuar të fishekëve. Urdhri i drejtohet Repartit Ushtarak nr. 4001 në Tiranë dhe kërkon që "fishekët t'i jepen ndërmarrjes së eksport-importit, MEICO me dokument dalje e jashtme duke marrë prej kësaj ndërmarrjeje konform hyrjen. Shkarkimi nga librat e llogarisë bëhet kundrejt këtyre dokumenteve".
Transporti është kryer nga reparti ushtarak por në urdhër nuk përmendet në asnjë rast Gërdeci ose vendi se ku do të kryhet eksperimentimi. Madje aty thuhet: "Destinacioni dhe koha e transportit të përcaktohet me bashkëpunim ndërmjet MEICO-s dhe komandantit të repartit 4001 Tiranë". Urdhri i dy majit e shtrinte fuqinë e tij deri në 30 qershor. Pak ditë më pas, në Gërdec është bërë një lloj eksperimenti për mënyrën e punës së makinave.
Burimet e prokurorisë pohuan se nuk është një eksperiment i mirëfilltë por thjesht është parë nëse përshtateshin makineritë me fishekët shqiptarë. I dërguari i SAC në këtë rast ishte Rrahman Selmanllari ndërsa nga ushtria me këtë çështje janë marrë Shefi i Shtabit, Luan Hoxha, drejtori i H.L.M.K Ndue Marku dhe drejtori i logjistikës, Dashnor Çaushi. Ndërkohë, sipas kërkesës për gjykim që tashmë ndodhet pranë Gjykatës së Lartë, mësohet se ish-Komandanti i Forcës së Bashkuar, gjeneral Shpëtim Spahiu, kishte urdhëruar verbalisht që në shkurt të 2007 vartësit e tij që t'i hapnin dyert kompanisë ndërtimore "Trans Digging Construction", me aksionarë vajzën e botuesit Fahri Balliu dhe të pandehurin Mihal Delijorgji, të kryenin punime për ngritjen e fabrikës së demontimit të fishekëve në Gërdec.