E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pastruesja i vjedh paratë kreut të LZHK, Dash Shehi

Dashamir Shehi

Ndalohet e dyshuara Elida Stafa: Se dija sa para ishin, më duheshin.

Vidhet një shumë parash në banesën e Dashamir Shehit, kreut të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar. Ngjarja mësohet se ka ndodhur paraditen e së hënës në banesën e Shehit, që ndodhet në rrugën Ali Visha në Tiranë. Menjëherë pas denoncimit, oficerët e Komisariatit Nr. 1 zbuluan që personi që kishte realizuar vjedhjen ishte një njeri i brendshëm. Sipas hetuesve të policisë mësohet se gjurmët e gjetura në vendin ku ishin siguruar paratë e vjedhura rezultuan të ishin të një 50-vjeçareje që Shehi kishte punësuar si pastruese në shtëpi. Burime nga Policia thanë se e dyshuara, Elida Stafa është shoqëruar në Komisariatin Nr. 1 dhe gjatë marrjes në pyetje ka pranuar autorësinë e ngjarjes. Ajo ka shpjeguar se i ka marrë paratë në sirtarin ku ishin fshehur nga Shehi, por pa e ditur se sa ishin. Autorja e dyshuar e ngjarjes, e cila banon pranë banesës së Dashamir Shehit bashkë me bashkëshortin, e ka justifikuar veprimin e saj me faktin që të shoqin e ka të papunë dhe nuk kishin para për të blerë ushqime; ndërsa i ka kërkuar falje çiftit Shehi. Në denoncimin që ka bërë në Polici, kreu i LZHK-së ka treguar se kur është kthyer në shtëpi, ka vënë re që i mungonin 50 mijë lekë të rinj, por nuk ishte i sigurt se kur mund të ishin vjedhur apo nga kush. Edhe pse dyshonte se vjedhja mund të ishte kryer nga dikush i brendshëm, pasi në shtëpi nuk kishte thyerje. Pavarësisht se dyshimet e para të tij binin mbi gruan që kishte punësuar si pastruese, Shehi është shprehur se asnjëherë më parë nuk kishte ndodhur ndonjë ngjarje e tillë në banesën e tij, edhe pse Stafa ishte punësuar nga ai prej kohësh. Pa dashur të fajësojë askënd, pavarësisht se kishte dyshimet e tij, Shehi ka kërkuar që në banesën e tij të paraqiteshin ekspertët e Policisë për të kryer verifikimet e nevojshme. Nga ana tjetër, e dyshuara si autore ka pranuar se vjedhjen e ka kryer kur po kryente pastrimin e shtëpisë në mëngjes dhe aty nuk ndodhej çifti Shefi dhe as fëmijët e tyre. Para oficerëve të Policisë, Elida Stafa ka premtuar se në një moment kur të arrijë të sigurojë paratë e vjedhura në banesën e shefit të saj, ajo do ia kthejë patjetër. Nisur nga rrethanat e ngjarjes dhe kushtet e vështira ekonomike, pas konsultimit me prokurorin, është vendosur që 50-vjeçarja Stafa të hetohet në gjendje të lirë.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›