E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas dështimit, protesta zhvendoset në selinë e PS-së

Edi Ramës i duhet të përballet me zemërimin e ylberistëve të rinj dhe xhaketave ët vjetra, të cilat kanë kuptuar njëkohësisht me 10 tetor, se ai s’di ta drejtojë partinë e se gjithçka e kupton si Pazar bashkie “leje ndërtimi - 10 përqindësh”.
Gramoz Ruçi e Fatmir Xhafaj kryqëzojnë Edi Ramën, ai i vërsulet Pandeli Majkos, duke e cilësuar si një idiot politik që i prishi mitingun.
Panik në parti, pasi ka nisur të qarkullojë teza e gijotinës politike, si një traditë bolshevike që mund të përdoret shumë mirë për të hequr qafe një kryetar partie që garanton një opozitë shumë të gjatë

Protesta e PS-së që dështoi mbrëmjen e së shtunës, është zhvendosur dje në selinë e kësaj partie. Ndërsa Gramoz Ruçi e Fatmir Xhafaj të caktuar për organizmin e protestës të së shtunës dhe mbledhjen e njerëzve, janë mbrojtur duke fajësuar Edi Ramën, ky nga ana e tij, i është zbrazur Pandeli Majkos.
Edi Rama nuk e ka pranuar sërish dje faktin e injorimit që i bënë protestës së shumë lajmëruar të tij prej ditësh. Për të shkarkuar zemërimin e tij, është përplasur me Gramoz Ruçin dhe Ftamir Xhafajn, të cilët nga ana e tyre, dështimin e protestës, ia kanë faturuar ftesave që Edi Rama, ju kishte bërë “të ikurve” nga LSI-ja dhe për më tepër edhe lejimit të Ndre Legisit, për të folur në podium.
Sipas Ruçit e Xhafajt, afrimi i Ndre Legisit dhe të tjerëve, “të ikurve” të LSI-së, ka zemëruar anëtarësinë e PS-së, për shkak, jo vetëm se të gjithë ata të LSI-së që i janë afruar PS-së, janë të pabesë e intrigantë, por ata nuk përfaqësojnë edhe vetë as vlera.
”Po të kishte vlera Ndre Legisi, apo të tjerët i mbante vetë LSI-ja. Por fakti që Ndre Legisi, zëvendësohet në kryesinë e LSI-së me Matilda Merxhanin, një pedagoge e Universitetit ‘La Sapienza”, një nga më të mirë jo vetëm në Itali por edhe në botë, flet më shumë për diferencat me vlerat që nuk i ka Ndre Legisi”, mësohet të jenë shprehur Ruçi e Xhafaj, në debatin me Edi Ramën. “Sillu më mirë me socialistët, mos i injoro dhe shpërfill ata, para Xhufit, Legisit, Brokajt, e të tjerëve”, ka qenë këshilla, që Ruçi e Xhafaj i kanë adresuar Ramës.
Nga ana e tij, Edi Rama, duke pasur nevojë të shkarkojë zemërimin e tij, për dështimin e protestës, por edhe për debatin me Gramoz Ruçin e Fatmir Xhafajn, i është lëshuar Pandeli Majkos. Sharjet dhe ofendimet që Rama nuk ia ka kursyer Majkos, mësohet se janë lëshuar edhe në prezencë të disa gazetarëve.
Shkaku, real i kësaj mësymje të Ramës, lidhej me fjalimin e Majkos, në protestën e mbrëmjes së shtunë. “Çfarë e kishe atë fjalim, ç’t’u desh të merreshe me Zogun e Nolin. Je një idiot totalisht”, ka qenë “dekorata” e radhës, që Edi Rama “ia vari” Pandeli Majkos.
Pas gjithë sherrnajës së Edi Ramës me këdo që dje ndodheshin në selinë e PS-së, ai zgjodhi të dilte edhe para gazetarëve, për të bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 nëntorit të këtij viti. Por sihariqi më i madh i Ramës, lidhej me rreth 10 mijë firma që pretendonte se ishin grumbulluar mbrëmjen e së shtunës, për një iniciativë ligjore, për hapjen e kutive të votimit, kur në shesh ishin shumë më pak se 10 mijë protestues.
I gjithë spekullimi nuk e fsheh dot mendimin e pjekur tashmë, si tek radha e xhaketave të vjetra, por ashtu edhe tek ylberistët e rinj, se me Edvinin koha në opozitë do të jetë shumë e gjatë, pasi ai gjithë çka bën e kujton një pazar bashkie, ku leja e ndërtimit shkëmbehet me përqindjen e korrupsionit. Ramës tashmë i duhet një ndryshim i shpejtë kursi, para se një ditë prej ditësh, tollovia e xhaketave të vjetra dhe e jelekëve ylberistë ta nxjerrin për zhelesh nga selia e PS-së. Kultura e gijotinës është ende shumë e fortë në radhët e ish-komunistëve dhe partitë bolshevike të të gjitha ngjyrave numërojnë shumë raste, kur kanë gëlltitur liderët që i kanë vlerësuar se janë fajtorë për mjerimin e tyre politik.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›