E Shtunë, 31 Tetor 2026

REZART TAÇI

Edison Ypi 

Njerëzit e mëdhenj nuk  njihen nga llafet mëdha por nga punët e mëdha. Për shembull, kur flitet për Darvinin, ndërmënt të vijnë genet, origjina. Kur bie fjala për Ainshtainin, para sysh të del relativiteti, pafundësia. Kur dëgjon për Frojdin të kujtohen veset. Kur sheh kompjuterin të fanepset Bill Gates-i etj. Mua më ka gjetur një taksirat; Tek kaloj mbi autostradat që po ndërtohen në Shqipërinë ku autostradat as mund të merreshin me mënt, kur hyj në ndonjë supermarket të madh të bukur e të pastër ku gjen gjithçka kur shoh rrugë që po asfaltohen e ura që po ngrihen, kur shoh të gjitha këto, parasysh më del Rezart Taçi. Nga ana tjetër, kur më qëllon të shoh në televizor Rezart Taçin, në mëndje më dynden hiç më pak se kamionë gjigandë të ngarkuar rëndë që lëvizin rrugëve të Shqipërisë me shpejtësi që u a kalojnë edhe veturave; aeroporte prej betoni, qelqi dhe duralumini plot me udhëtarë dhe mallra; ura gjigande përmes malesh; tunele, eskavatora, grataçila, fusha të mbjella, sera, vila të pafundme.
Shkurt, për mua, si dhe sigurisht për të tjerë shqiptarë që mëndjen nuk ke kanë poshtë në fund të kurrizit, por lart në kokë, Rezart Taçi është simbol i kapitalistit që punon, mendon, lodhet dhe fiton dhe i kapitalizmit që funksionon për të cilin gjëja më e rëndësishme është jo thjesht dhe vetëm efikasiteti, rendimenti, por Njeriu. Ndryshe thënë, Rezart Taçi është simbol i realizuesit të pritshmërisë shekullore për një Shqipëri normale që dita-ditës po ndërtohet si gjithë Bota. Jo me kioska ! Me gjigantizma ! Për këtë shquhet Rezart Taçi !
Nuk kam pirë kurrë një kafe a një çaj me Rezart Taçin. A mundem ?! Kur të dua ! Që sot ! Që tani ! Po athere pse nuk vete ta pi një kafe me Rezart Taçin ?! Sepse njerëzve të punës nuk është mirë tu vidhet koha nëpër kafenera.
Rezart Taçi, ky pionier madhështor i kapitalizmit të vërtetë, ky lajmës qiellor për të mirën e të gjithëve, nuk është i madh sepse, ta zemë, gjigand ka shtatin, as sepse ka pasur a ka kaq e aq të dashura, se ka bërë këtë e atë shkollë, se pi a s’pi birrë e raki’ a vetëm ujë me gaz a pa gaz, kafe turke a ekspres me pak apo me shumë. Napoleoni ka qënë më pak se 160 centimetra i lartë, Pjetri i Madh mbi 200, verë e raki’ kanë pirë të gjithë, Balzaku pinte kafe me tonelata, dhe të dashura të gjithë kanë pasur a s’kan’ pasur - kush pyet për këto ?! Askush ! Si të gjithë të mëdhenjtë edhe Rezart Taçi nuk është i madh për të tilla. Rezart Taçi është i madh për punët e mëdha që bën në të mirë të Shqipërisë.
Unë kam punuar në një ofiçinë ku 200 mekanikë kishin vetëm 1 mavri’ çekiç të shtrembër, edhe atë jo me bisht druri por me bisht hekuri. Këtu do jemi po s’e bëri Rezart Taçi 1 mekanik me 200 vegla, që mekaniku, mundësisht, të shtypi vetëm butona.
Rezart Taçi nuk është vetëm praktik i madh por edhe ëndërrtar i madh. Por Rezart Taçi nuk sheh ëndërra dosido. Ëndërrat e Rezart Taçit nuk janë me kioska dhe rrugica. Falë shqiptarëve si Rezart Taçi ku koha e kioskave. Shqipëria ka hyrë në epokën e grataçielave dhe autostradave. Prandaj dhe ëndërrat e Rezart Taçit janë plot me rafinerira, trena, lokomotiva, avionë, kamiona, vaporra, aeroplana.
Edhe unë ashtu e ëndërroj dhe e uroj të ardhmen e Rezart Taçit; Shumë i pasur dhe shumë i fuqishëm. Më të pasurin dhe më të fuqishmin e planetit. Me flotë të tijën që çan detet dhe oqeanet. Aq i fuqishëm sa një nga një t’i mposhti të gjitha valutat, t’a bëjë Lekun t’a mposhti Dollarin. Dhe gjithë bota hesapet t’i bëjë me Lekë. Dhe Bursa e Tiranës të bëhet më e madhja e Botës. Madje edhe shumë më shumë; Të jetë Rezart Taçi që t’i urdhërojë të gjitha; edhe shiun edhe breshërin, edhe ozonin, edhe cunamin, edhe tërmetin, edhe vullkanin.
Morpo nga është ky Rezart Taçi ?!
Ububububububu nga është Rezart Taçi ! Rezart Taçi është nga ku nuk ka mesatarë por vetëm gjenialë. Ku të gjithë pa përjashtim janë ruajtës të rreptë të dinjitetit dhe lavdisë, jo vetëm të gjyshërve e stërgjyshërve të së kaluarës, por edhe të nipërve e stërnipërve të së ardhmes. Ku fshatarët dehen duke gustuar ujërat e përrenjve si verërat. Ku nëpër korije e lëndina fryn flladi, këndon gjinkalla, pihet rakia e kafeja, hahet mishi e pilafi, kërcet muhabeti. Ku nga fëmija deri plaku të flasin për gjeopolitikat e planetit dhe superfuqitë, po aq pa teklif si për pulat dhe vezët e qymezit. Ku s’ka kalbje as pisllëk por vetëm ngjallje dhe pastërti. Ku të gjitha gratë një nga një janë diplomate të hatashme që mund t’i çosh të të nderojnë në cilindo shtet, gjysmën e tyre mund t’i bësh kryeministre, dhe jo më pak se çerekun pa frik’ Presidente.
Në vendin më të vogël dhe më të varfër deri dje të pa njohur, Rezart Taçi është gjeneza e një gjigandi që do çudisi Botën.
Ja na paska Rezart Taçi një stomak kaq e aq centimetra kub. Ja na përdorka Rezart Taçi 4, a 6, a makar 8 makina luksoze, ja na ka ndërtuar një vilë, po deshe edhe dy, edhe tre, edhe pesë. Ja udhëtoka kolonjari nëpër Botë dhe pushimet na i bëka në Xhamaika. E çë ?! Po të tjerat e Rezart Taçit ?! A s’më thua pakëz, përse i duhen të tjerat Rezart Taçit ?
Të duket e pa besueshme ?!
E ke gabim !
Rezart Taçi, ky njeri me rrezatim prej Shenjtori që ndjek gjurmët e të parëve duke i ardhur Botës rrotull; nga Taçi në Starje, nga Starja në Stamboll, nga Stambolli në Uashington, nga Uashingtoni në Londër, Romë, Tokio, Melburn, për ta mbyllur në Tiranë, që punën dhe patriotizmin e ka në gen dhe në gjak, ky të cilit punët sa më të mëdhaja të jenë janë aq më të vogla i duken, që e ka fare të qartë se dallavberet dhe mafia nuk janë shpikur në Shqipëri, ky për të cilin hollivudi do bëjë me qindra filma, është i pa ndalshëm si drita dhe i pa ndryshueshëm si shpejtësia e saj. Prandaj dhe e vërteta e Rezart Taçit është pikërisht kjo si më lart. E vërteta e Rezart Taçit është nga ato të rrallat që sa më të dyshimta duken aq më të vërteta janë.
Përsëri nuk bindesh, nuk beson ?!
S’ka problem. Kështu është kjo dynja’. Nuk do jesh i vetëm në mosbesimin tënd të vogëlth karshi Rezart Taçit të pafundëm. Ka e do ketë gjithmonë nga ata që nuk besojnë, jo mua e Rezart Taçin, por as Zotin.
edisonypi@gmail.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›