E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amerikanizmi i politikës, ose rreziqet e fenomenit Rama

Blendi Kajsiu 

Sot më shumë se kurrë fushatat politike shqiptare janë amerikanizuar. Edhe pse Shqipëria është Republikë Parlamentare fushata elektorale është thellësisht presidenciale. Në qendër të saj janë dy liderët partiakë Berisha dhe Rama, të cilët tashmë përplasen kryesisht ... si individë dhe jo si ekipe apo parti. Partitë janë kthyer thjesht në një sfond blu ose rozë, ndërkohë që ekipe alla KOP si dje, sot janë zhdukur. Ballë për ballë ndodhen vetëm ‘kandidatët presidencialë’. Djathtas kemi thjesht Berishën dhe PD-në qe e ndjek nga pas. Majtas kemi Ramën me PS-në përtej. Partitë politike janë kthyer në makineri elektorale në funksion të liderit. Mediat, që në Shqipëri janë nga më të zhvilluarat në rajon, luajnë një rol kyç në fushatë, duke u pozicionuar qartas majtas apo djathtas.  Analistët komentojnë ndeshjet politike, që kulminojnë me betejën finale zgjedhore nga ku shpallet kampion njëri prej kandidatëve. Vetë fushata elektorale i ngjason një fushate marketingu, që bëhet nga profesionistë dhe në mënyrë ‘shkencore’ me sondazhe. Gjithçka si në SHBA.
Nuk kemi të bëjmë thjesht me një proces imitimi.  Amerikanizimi i fushatës elektorale në skenën tonë politike është produkt i amerikanizmit të sistemit tonë politik. Në thelb të këtij transformimi qëndrojnë proceset e ndërlidhura të rënies së rëndësisë së partive politike si institucione përfaqësimi, karriere dhe politik-bërje, si dhe forcimi i rolit dhe ndikimit politik të mediave dhe bizneseve të caktuara. Produkti më tipik i këtij procesi është fenomeni Rama. Politikani i parë madhor i tranzicionit, që ndryshe nga paraardhësit e tij Nano, Berisha apo edhe Meta apo Majko më shumë sesa produkt partiak është produkt mediatik. Për vetë rëndësinë që ka ky fenomen është studiuar çuditërisht pak ose aspak (të paktën unë njoh vetëm një studim mjaft interesant të gazetares Belina Budini në lidhje me fenomenin e politikanit mediatik Rama).
Kemi të bëjmë me një fenomen që ka ndodhur tashmë në shumë nga demokracitë e avancuara, fillimisht në Shtetet e Bashkuara dhe më pas në Evropë. Në mungesë të polarizimit ideologjik rritet masa dhe rëndësia e elektoratit gri në mes.  Militantizmi politik e humbet rëndësinë dhe madje bëhet i dëmshëm, teksa partia synon elektoratin e lëkundur. Partia i përshtatet shijeve apolitike dhe antipolitike të këtij elektorati, që nuk ’kapet’ nëpërmjet militantizmit partiak por nëpërmjet medias. Këtu buron edhe roli në rritje i medias në politikë; ato ofrojnë akses tek elektorati gri që është edhe më i rëndësishmi edhe më i pavendosuri. Kështu karriera partiake zëvendësohet me karrierën mediatike. Fushata politike me fushatën e marketingut mediatik. Takimet e lidershipit të partisë me elektoratin bëhen gjithnjë e më tepër para kamerave, dhe gjithnjë e me pak me anëtarët e partisë jashtë tyre. Të gjitha këto kushtojnë shumë, për pasojë rëndësi marrin edhe financuesit e fushatës elektorale. Prandaj grupi themelor drejtues i partisë nuk është më as kryesia, as asambleja, as komiteti drejtues. Këto kthehen në struktura thjesht formale që atrofizohen me kalimin e kohës. Ato pushojnë së qeni forume pjesëmarrëse të anëtarëve ku ata shprehin pikëpamjet e tyre në lidhje me drejtimin e partisë.   Hera e fundit që diçka e tillë ndodhi në skenën tonë politike ishte KPD-ja e famshme socialiste. Drejtimi real i partisë ngushtohet tek një dorë njerëzish, ku futet lideri dhe stafi i tij i bindur si dhe përfaqësues të grupeve mediatike dhe të biznesit. Këshillat, idetë apo nevojat e këtyre të fundit e përcaktojnë kursin e partisë shumë më tepër së dëshira e përgjithshme e anëtarësisë, që në pamundësi për t’u shprehur me kalimin e kohës humbasin fare. Sikleti i shumë socialistëve ‘të vjetër’ me Ramën, pjesërisht reflekton këtë proces distancimi dhe ftohje midis anëtarit tradicional dhe partisë. 
Në momentin që partia pushon së qeni një institucion përfaqësimi, pjesëmarrjeje dhe mobilizimi politik ajo reduktohet thjesht në instrument për marrjen ose mbajtjen e pushtetit. Kështu me të ardhur në pushtet ajo derdhet e gjitha në ekzekutiv dhe nuk ekziston aspak jashtë tij. Për këtë arsye sot godina e PD-së është tërësisht e braktisur. Për të njëjtën arsye nesër do zbrazet godina e PS-ja nëse ajo vjen në pushtet. Duke u bërë njësh me pushtetin funksioni i partisë si urë lidhëse mes qytetarit dhe pushtetit zhduket. Anëtarët e partisë kthehen në aksionarë, që ndjekin partinë në bursën politike në televizor, ku informohen rreth saj nga gazetarët apo analistët, të cilët dinë shumë më tepër rreth saj edhe sesa vetë anëtarët e kryesisë. Nëse partia vjen në pushtet anëtarësia mund të marrë ndonjë dividend në formën e vendeve të punës apo tenderëve.
Votuesit nga ana tjetër kthehen në një turmë konsumatorësh që ‘blejnë’ ofertën më të mirë në tregun politik. Nuk kemi të bëjmë aspak me një elektorat të polarizuar politikisht pasi si të majtë, si të djathtë, bashkohen tek dëshira për të pasur punë, për të marrë viza apo për t’u futur në Evropë. Votuesit nuk ndahen as në vlera dhe as në intersa sepse vlerat janë shndërruar në interesa, ndërsa interesat si pasojë e vështirësive të vazhdueshme ekonomike janë njehsuar në kërkesa minimale mbijetese për ndonjë punë, ndonjë rrugë, ndonjë shkollë apo ndonjë vizë. Pikërisht këto premtojnë edhe liderët politikë. Në këtë aspekt thirrjet e Ramës për bashkim janë boshe, pasi elektorati shqiptar nuk është i ndarë; për momentin jemi të gjithë një turmë që e bashkon nevoja për të mbijetuar. Ndërsa debati se si duhet jetuar shtyhet pafund.
Në këtë pikë ndokush me të drejtë mund të thotë, po ç’të keqe ka këtu, kjo ka ndodhur edhe në Evropë! A thua se diçka po ndodhi në Evropë apo Amerikë bëhet automatikisht e mirë.   Problemi është se amerikanizmi i sistemit tonë politik në kushtet dhe traditën politike shqiptare prodhon efekte perverse, që e varrosin demokracinë si proces përfaqësimi dhe pjesëmarrje politike. Ndryshe nga Amerika, ku partitë politike kanë qenë historikisht të dobëta në Shqipëri partitë politike kanë kryer një funksion shumë të rëndësishëm të lidhjes së lidershipit me qytetarët e thjeshtë, sidomos në vitet e para të tranzicionit. Partitë politike kanë qenë gjithashtu, ashensori kryesor social nëpërmjet, të cilave çdo individ pavarësisht prejardhjes mund të zinte një pozicion të mirë në shoqëri. Ato ishin dhe mbeten të vetmet organizata realisht të hapura për çdo qytetar. Në organizatën bazë të një partie mund të takohej një qytetar i thjeshtë, një pensionist, një punëtor apo një i papunë me një deputet, ministër apo edhe kryeministër. Strukturat partiake përcillnin dëshirat, frustrimet apo kërkesat nga baza në qendër. Ky natyrisht ishte një proces shpesh i urryer për shumë qytetarë, që e shikonin si klientelizëm politik, stresues për politikanët, por gjithsesi jetik për demokracinë si një sistem, ku çdo qytetar ka një farë zëri apo ndikimi. 
Në Amerikë për vetë traditën dhe sistemin e saj politik lidhja e pushtetit me qytetarët bëhet kryesisht nëpërmjet grupeve të interesit, apo shoqërisë civile në institucione si Kongresi më shumë sesa nëpërmjet partive politike. Shumë donatorë me këtë traditë në mendje po përpiqen të ngrenë institucione të ngjashme të shoqërisë civile edhe në Shqipëri sipas modelit amerikan. Prandaj, ata e përshëndesin dobësimin e partive politike, sepse ul polarizimin politik dhe krijon një shans për forcimin e shoqërisë civile, krejtësisht të pandërgjegjshëm se partitë politike dhe jo OJQ-të janë themeli i demokracisë shqiptare. Në një republikë parlamentare me një sistem elektoral tashmë proporcional me listë të mbyllur ndikimi politik i shoqërisë civile sipas modelit amerikan bëhet thuajse i pamundur. Shoqëria civile apo grupet e interesit duhet të lobojnë direkt kryetarin e partisë ose ekzekutivin sepse Parlamenti shqiptar, ndryshe nga Kongresi amerikan, është tejet i dobët si institucion përfaqësimi dhe inekzistent si institucion politikbërje. Prandaj e ashtuquajtura ‘shoqëri civile’ në kushtet e Shqipërisë nuk mund të kryejë ndërlidhjen qytetar-pushtet. Shanset janë që ajo të kthehen thjesht në një lidhje të shkurtër me pushtetin, shumë më e shkurtër sesa partitë politike.
Sot e vetmja mundësi për të ndikuar politik-bërjen është aksesi direkt tek ekzekutivi çka është privilegj i një rrethi gjithnjë e më të ngushtë. Ndryshimet e 21 prillit dobësuan thellësisht si partitë politike ashtu edhe parlamentin përballë ekzekutivit dhe liderit të partisë. Sot parlamenti shqiptar është shumë më i dobët sesa dje, ndërsa nesër ai do të jetë akoma më i dobët se sot. Parlamenti sot e ka humbur rëndësinë e tij edhe si pasojë e faktit që lideri i opozitës është jashtë tij. Po t’i shtojmë kësaj deklaratën e Ramës se ai mund të mbetet jashtë Parlamentit, pasi të fitojë zgjedhjet në qershor atëherë shikojmë se epiqendra e vendimmarrjes do dalë tërësisht jashtë institucionit, që në Kushtetutë përcaktohet si përfaqësues i vullnetit popullor. Me fjalë të tjera vullneti politik do transferohet jashtë vullnetit popullor. Dhe të mendosh që kjo do të bëhet në emër të respektimit të kontratës së kryebashkiakut me qytetarët!
Ironia e fenomenit Rama është se duke sulmuar politikën në emër të popullit po eliminon pikërisht ato institucione, që e bëjnë politikën përfaqësuese të elektoratit dhe deri diku të kontrolluar prej tij. Në vend të institucioneve politike si partitë apo Parlamenti ofrohen individë apolitikë, me meritën e vetme se janë shkolluar jashtë, që në analizën e fundit shërbejnë si makijazh dhe justifikim i një ekzekutivi tejet të fortë dhe të pakontrolluar nga elektorati, Parlamenti apo institucione partiake. Ky është pikërisht funksioni që KOP kreu për ekzekutivin Berisha. KOP në mënyrë mjaft të suksesshme eliminoi fare partinë si kanal kontrolli i lidershipit për hir të elektoratit gri që i dhuroi fitoren PD-së. Sot kopistët e rinj socialistë po kryejnë të njëjtin funksion në PS, ata po shërbejnë si stoli të procesit të eliminimit të institucioneve partiake në emër të afrimit me popullin. Nesër nuk është çudi që me të njëjtën armatë të rinjsh, që karakterizohen nga entuziazmi antipolitik Rama të eliminojë parlamentarizmin si strehën e fundit e politikës së vjetër.  Politikanët do zëvendësohen me teknokratët apo specialistët, që nuk kanë lidhje fare me procesin e përfaqësimit politik. Këtyre jo vetëm që u mungon legjitimiteti politik për të kontrolluar lidershipin por mund të përdoren shumë lehtë nga lidershipi, të cilit i kanë borxh karrierën politike. Në mungesë të institucioneve të karrierës politike (d.m.th., partisë apo Parlamentit) karriera e tyre politike është katapultimi nga lideri dhe aprovimi nga mediat dhe bizneset pas tyre. Dobësimi i strukturave dhe karrierës partiake, centralizimi i vendimmarrjes në parti dhe dobësimi i parlamentarizmit prodhojnë një theksim të mëtejshëm të përqendrimit të pushtetit në duar dhe interesa sa të ngushta aq edhe të pakontrolluara. Askush brenda PD-së nuk mund t’i kontrollojë interesat e Berishës sot, askush brenda PS-së nuk do mund të kontrollojë interesat e Ramës nesër. Për pasojë këto institucione kthehen tërësisht në funksion të këtyre interesave dhe individëve. Kështu sistemi politik bëhet gjithnjë e më elitist, duke i shërbyer gjithnjë e më shumë një pakice gjithnjë e më të ngushtë. Një fenomen që sot dhe gjithë ditën ne e quajmë korrupsion.
Interesant është fakti se fenomeni Rama edhe pse në përmbajtje është produkt i thellimit të pushtetit elitist në formë shfaqet si demokraci popullore. Eliminimi i Parlamentit apo i partisë si institucion përfaqësimi dhe dialogu mes qytetarëve dhe lidershipit krijon nevojën e komunikimit direkt të liderit me popullin. Si çdo komunikim që i flet direkt popullit në përgjithësi dhe askujt në veçanti, ky komunikim nuk mund të jetë veçse populist. Mesazhi i këtij dialogu dënon politikën dhe politikanët si një elitë, që mendon vetëm për vete dhe nuk merret me hallet e popullit. Edhe pse vetë Rama është produkt tipik i kësaj elite. Edhe pse Rama është ndër aktorët kryesorë, që në emër të popullit do ta ngushtojë, ngurtësojë dhe distancojë edhe më tej këtë elitë, politiko-mediatiko-biznesi nga populli në përgjithësi. Eliminimi i partisë tradicionale dhe dobësimi i parlamentit janë thjesht dy nga elementet më të dukshme të këtij procesi.
E gjitha kjo ndodh me inkurajimin e shoqërisë sonë civile që çdo ditë prodhon ligjërimin populist antipolitik. Pa këtë ligjërim transformimi i partive politike në makineri të centralizuara elektorale vështirë se do legjitimohej. Ky transformim legjitimohet nga urrejtja ndaj militantëve “mendjengushtë” dhe “tru-shpëlarë” që pushtojnë administratën publike. Ndaj ’mitingashëve’ që të palarë dhe të pakulturuar dalin në rrugë dhe bërtasin duke na prishur imazhin evropian që duam të ndërtojmë. Pa ligjërimin antipolitik që sot e gjithë ditën shan, tall dhe sulmon politikanin apo deputetin ’injorant, budalla dhe maskara’, vështirë se do mund të legjitimohej edhe dobësimi i Parlamentit si arenë e debatit politik. Është fatkeqësisht elita mediatike e shoqërisë civile që jo vetëm nuk shqetësohet por e mirëpret elitizimin e mëtejshëm të demokracisë dhe shkëputjen e mëtejshme të procesit politik nga partitë, partiakët, apo militantët. Si pasojë e dobësimit të partisë dhe parlamentit ajo bëhet më e përfillur, më e lidhur me lidershipin politik dhe më ndikuese sesa vetë anëtarësia e partive politike. Në fakt, ajo që të çudit në Tiranë është afrimiteti i sikletshëm dhe në rritje i gazetarëve, analistëve dhe politikanëve që i shikon bashkë jo vetëm në studio televizive, por edhe në kafene apo restorante.  Të njëjtët gazetarë apo analistë që debatojnë me politikanët para kamerave hanë e pinë bashkë pas tyre. Shpesh programet politike, sjellja apo artikulimi i politikanëve përcaktohen më tepër në tavolina të tilla sesa në forumet e atrofizuara partiake.
    Në këto kushte fenomeni Rama bëhet vërtetë i rrezikshëm.  Është një fenomen, përballë të cilit shoqëria jonë nuk ka shumë mbrojtje. Veçanërisht po të kemi parasysh se sa e delegjitimuar do të jetë PD-ja nesër nëse del në opozitë përballë një pushteti Ramist që do ketë përkrah mediat, bizneset, të rinjtë e shkolluar jashtë, pjesën dërrmuese të analistëve dhe me siguri ndërkombëtarët. Rreziku nuk qëndron në faktin se në Shqipëri nesër do të vendoset diktatura.  Përkundrazi nesër, ashtu si dhe gjatë pushtetit socialist dje, mund të shohim më shumë edukatë politike, më shumë respekt për institucionet e pavarura, më pak sulme ndaj sistemit të drejtësisë, më shumë liri për median por njëkohësisht edhe më pak drejtësi, më pak media kritike, më pak demokraci dhe më shumë korrupsion. Rreziku qëndron tek një ’demokraci’ gjithnjë e më tepër në funksion të një rrethi të ngushtë ku pushteti sa më shumë ndërron duar aq më pak ndërron fytyrën. Ku urrejtja ndaj politikanëve përdoret për të eliminuar politikën si proces përfaqësimi. Një demokraci ku pluralizmi politik prodhon shumë parti por një ofertë. Edhe sot problemi nuk shtrohet tek zgjedhja mes Berishës dhe Ramës, por tek fakti se sa shumë ngjajnë sot të dy. Problemi është se kemi arritur në një pikë, ku pas çdo zgjedhje kemi gjithnjë e më pak zgjedhje.  Ndoshta në këto kushte, zgjedhja e vetme është që të mos zgjedhim. Ndoshta në këtë mënyrë askush nesër nuk do mund ta justifikojë abuzimin me pushtetin në emrin tonë. Ndoshta!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›