Ekstradohet nga Italia shqiptari, vrau ne 1997
TIRANE- Një 48 vjecar nga Fieri është ekstraduar dje nga kryeqyteti italian Romë, drejt Tiranës. Gjoleka Zylyftar Misiraj nga qyteti i Fierit ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, me vendimin nr. 134, datë 17. 09. 2007, e kishte dënuar 19 vjet burgim, për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes me paramendim” në bashkëpunim dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake” parashikuar nga nenet 78,25 dhe 278/2 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Ai akuzohet për një vrasje të ndodhur më 27 korrik 1997. Rreth orës 15. 30 minuta të asaj dite Gjoleka në bashkëpunim me persona të tjerë, në fshatin Allambrez, Berat, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin Kastriot Shehu, duke i shkaktuar vdekjen. Sipas policisë motivi i kryerjes së kësaj vepre penale ka qenë hakmarrja. 48 vjecari u arrestua në Romë më 31 maj 2009 dhe më pas nisi procedura për ekstradimin e tij drejt vendit tonë. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.(s.g/Balkanweb)