E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet në Durrës ish-prostituta, ishte në kërkim prej dy vjetësh

21-vjeçarja nga Elbasani ishte larguar nga një qendër rehabilitimi për femrat e trafikuara pa lënë adresë

ELBASAN - Një 21-vjeçare e shpallur në këkim pas largimit nga qendra e rehabilitimit është gjetur në Durrës. Policia e Elbasanit e ka shpallur në kërkim 2 vjet më pare, por deri më tani nuk kishte arritur tek ajo derisa policia e qytetit bregdetar e ka shoqëruar vajzën. 21-vjeçarja e lindur në Elbasan ishte larguar nga qendra e rehabilitimit për gra të trafikuara qysh në 13 nëntor të vitit 2007 pa lënë asnjë informacion për vendndodhjen e saj. Nisur nga zhdukja e papritur e ish-prostitutës, qendra "Hëna e Re" ka vendosur të lajmërojë policinë. Kjo e fundit pasi ka verifikuar vendet se ku mund të ndodhej vajza ka vendosur ta shpallë në kërkim.

Nga ajo kohë nuk u gjet më asnjë e dhënë mbi të renë, e cila për shkak se kishte kallëzuar një tutor dhe nuk kishte askënd që mund të kujdesej, u shpall e zhdukur. Por vetëm një ditë më pare, policia e Durrësit e ka gjetur vajzën në zonën e plazhit dhe kur ajo nuk ka treguar asnjë dokument, është shoqëruar.

Gjatë marrjes në pyetje, 21-vjeçarja ka treguar se ishte larguar nga një qendër rehabilitimi. Pas verifikimit të emrit tek personat e shpallur në kërkim, ajo i është dorëzuar drejtorisë së policisë Elbasan. Pritet që kjo e fundit t'ia përcjellë qendrës nëse 21-vjeçarja do të pranojë. Dyshohet se ajo i ishte kthyer profesionit të saj të vjetër në Durrës. Gjithsesi, policia nuk ka prova për aktivitetin e saj të paligjshëm në këtë zonë. Qendra "Hëna e Re" është ngritur me kontributin e organizatave të huaja për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të trafikut. Kjo qendër cilësohet e mbrojtur dhe është mjaft e fshehtë. Aty strehohen jo vetëm femrat e trafikuara, por edhe gratë e dhunuara.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›