E Shtunë, 31 Tetor 2026

Librazhd, pranga ish-kreut të Tatimeve



Policia e Elbasanit ka arrestuar dy persona, të akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre. Në prangat e uniformave blu kanë rënë Fatmir Venetiku, 41 vjeç, me banim në Librazhd, si dhe Bashkim Hoxha, 50 vjeç, lindur në Zdrajc dhe banues në Librazhd. Sipas burimeve të policisë, Venetiku, ekonomist dhe ish-shef i Degës së Tatimeve në Librazhd, me detyrë aktuale përgjegjës i Zyrës së Menaxhimit të Borxhit pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Elbasan, si dhe Hoxha, administrator i firmës së ndërtimit “Hoxha” sh.p.k, në qershor të këtij viti, me anë të një dokumenti të falsifikuar, rritën në mënyrë fiktive numrin e punonjësve të siguruar. Kështu ata arritën të fitonin tenderin e prokuruar nga Komuna e Qukësit për ndërtimin e rrugës Plizë–Pishkash. Dy të ndaluarit ndodhen në dhomat e paraburgimit të komisariatit të policisë së Elbasanit, ku pritet që të dalin përpara drejtësisë shqiptare, të akuzuar për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”.

Tiranë, në pranga studenti, shpërndante drogë

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 22-vjeçar, i cili akuzohet për shpërndarje të lëndëve narkotike. Julian Lila është arrestuar ditën e djeshme, teksa ishte duke i shitur drogën një të riu tjetër në Qytetin Studenti. Sipas burimeve të policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në dhomën e këtij shtetasi në Qytetin Studenti, u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale 344.4 gram bimë narkotike e llojit kanabis sativa. Nga të njëjtat burime mësohet se çështja penale në ngarkim të 22-vjeçarit i kaloi për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›