Varësia e iranianëve nga opiumi

Më 26 qershor të këtij viti, mediet shtetërore iraniane raportuan se rreth 20 mijë ish-persona të varura nga droga ishin tubuar në stadiumin Azadi në Teheran, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare kundër abuzimit të drogës. Në këtë ngjarje mori pjesë edhe presidenti i Iranit, Mahmoud Ahmadinejad, i cili shfrytëzoi foltoren, për të akuzuar për këtë problem Perëndimin. “Sot, shtetet Perëndimore kanë filluar të dëmtojnë shtetet tjera, në veçanti Iranin, me anë të narkotikëve”, pati theksuar Ahmadinejad.
Sipas zyrës së OKB-së për Drogë dhe Krime, Irani ka 1.2 milionë banorë të varur nga droga dhe në raportin e kësaj zyre është theksuar se 2.26 për qind e popullatës, prej moshës 15-64 vjet, është e varur nga opiumit.
Drejtori i kësaj organizate, Yuri Fedotov, ka lavdëruar Iranin për faktin se ka shkallën më të lartë të konfiskimit të heroinës dhe opiumit në botë dhe për shkak të zhvillimit të një trajtimi efektiv dhe të programeve për parandalim.
Për dallim, organizata Human Rights Watch ka kritikuar Fedotovin, për shkak se ka mbyllur sytë para procedurave të shtrembëruara ligjore të Iranit dhe ekzekutimit të personave të varur nga droga. Ajo që është edhe më alarmuese, njerëzit e arrestuar gjatë protestave të opozitës, siç ishte rasti i holandezes me origjinë iraniane, Sahra Bahrami, herë pas here edhe janë varur si “kontrabandues të drogës”.
Nëse bëni një shëtitje me automjet gjatë natës nëpër Teheran, ngasësi mund t’iu rrëfejë se vajzat në moshën adoleshente, të cilat shesin esfand-fara të cilat digjen, për t’u mbrojtur nga syri i keq-në të vërtetë ofrojnë seks me para, për të ndihmuar prindërit e tyre të varur nga droga. Shkoni në metro dhe do të shihni fëmijë në gjendje të mjerë, duke kërkuar lëmoshë. Vizitoni ndonjë lagje të varfër, siç është Shahr E Rey, mund të vëreni shiringat e shfrytëzuara në trotuaret për këmbësorë.
Megjithatë, skena e drogës nuk është tipar vetëm i kryeqytetit dekadent të Iranit. Kjo dukuri është mjaft e përhapur dhe ka rrënjët mjaft të thella: për shembull, kur vizitova varrin e poetit nga shekulli i 12-të, Saadit, në qytetin Shiraz, Azadi, një kritik lokal letrar, i cili më udhëhiqte gjatë shëtisë nëpër qytet, bëri me dorë në drejtim të lagjes së quajtur Saadieh. Ai theksoi se kjo lagje është qendër e hajnave, trafikantëve dhe personave të varur nga droga.
“A dëshiron ta vizitosh? Është lehtë ta vizitosh, por mund të mos dalësh gjallë nga aty”, thotë Azad me shaka.
Duke shpalosur mikpritjen perse, Azad më ftoi në shtëpinë e një entuziasti të opiumit. Opiumi, thotë Azad, është droga më e vjetër në Iran dhe është shfrytëzuar si medikament në rajon nga Avicena, shkencëtari i madh pers, para 1 mijë viteve.
“E adhurojmë dhe e urrejmë”, thotë Mani, miku i Azadit, një akademik me zë të butë, rreth 60 vjeçar. “Në familjen time e ka përdorur i ati, por ai gjithmonë më thoshte, mos e prek. Ai ishte kundër, ngase e kishte përdorur vetë, por më vonë e kemi pirë së bashku”, rrëfen Mani.
“Kur e përdorë për herë të parë, të qetëson. Ndikon që të flesh mirë, apo bën që të kesh ankthe dhe që të të punon imagjinata”, shton Azadi.
Mani sot opiumin e shesh si një drogë në zhdukje e sipër. “Ekziston një trysni e jashtëzakonshme nga jashtë, ngase pjesa më e madhe e opiumit dhe heroinës që arrin në Evropë, kalon nëpër Iran. Bashkësia Ndërkombëtare i jep para qeverisë për t’u përgjigjur”, thotë ai, duke ju referuar ndihmave financiare që shtetet perëndimore ja japin UNODC-së. Si rezultat, opiumi është bërë një drogë e shtrenjtë.
“Tani ajo në shumicën e rasteve përdoret nga njerëzit e pasur, por kualiteti është shumë më i dobët”, rrëfen Mani.
Në Teheran, kërkova një shpjegim paksa më mjekësor në lidhje me këtë çështje dhe u takova me Alinë, një punëtor social në qendrën për trajtimin e personave të varur nga droga, në lagjen Tehranpars.
“Problemi i drogës në Iran nuk është veçori e ndonjë klase të caktuar”, thotë Ali. Ai ka punë me rreth 100 pacientë të rregullt, të cilët vijnë nga sferat e ndryshme shoqërore. Disa prej tyre janë punëtorë të varfër afganë, pa status ligjor dhe pa familje, ndërsa të tjerët janë, apo kanë qenë, të pasur.
“Një nga pacientët e mi është një stomatolog, i cili ka punuar në SHBA. Kishte një aksident atje dhe ju injektua morfinë. Më pas ai u lirua nga spitali, por filloi të injektojë vetën, duke humbur në fund çdo gjë që kishte dhe u kthye në Iran”, thotë Ali. (Foreign Policy)