Radhë në sportelet e pasaportave biometrike
Vazhdojnë radhët pa fund në qendrën e vetme të shpërndarjes së pasaportave biometrike në Rrethin e Beratit. Shumë prej emigrantëve të ardhur pranë banesave të tyre për të kaluar ditët e pushimeve u janë drejtuar sporteleve të aplikimeve për pasaportat biometrike. Vetëm gjatë ditës së djeshme, pranë qendrës së vetme të aplikimit që ndodhet në këtë rreth, kanë qenë për t’u shpërndarë 680 pasaporta të reja, por deri në orën 14:30 janë shpërndarë vetëm 135 të tilla. Shkak në vonesën e shpërndarjes së pasaportave është fakti që në sportelin e vetëm të shpërndarjes për Bashkinë Berat dhe dhjetë komunat e rrethit është vetëm një punonjëse. Kjo e fundit e ka pasur të vështirë të përballojë fluksin e pasaportave të reja që u prodhuan, si pasojë e rritjes së kërkesave gjatë muajit korrik. Në këto kushte, emigrantët e shumtë të ardhur për pushime ndihen mjaft të stresuar, pasi radhët e gjata dhe vonesat i kanë bërë të humbasin ditët e pushimit. Ata ankohen për radhët dhe problemet që po u shkaktohen nga mosmarrja në kohë e dokumenteve. Qendra e vetme e shpërndarjes, e cila ndodhet në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat, ishte tejmbushur dje me njerëz, që kanë qëndruar në radhë që nga orët e para të mëngjesit e deri në orët e pasdites. Në të gjithë Qarkun e Beratit numërohen 11 njësi të aplikimit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike dhe tre qendra shpërndarëse.
#