Dyshime për vjedhje, gjykata ktheu automjetin e sekuestruar
Shumica e vendimeve të policisë për bllokimin automjeteve që dyshohen se janë vjedhur përfundojnë në gjykatë. Në një rast, shtetasi E.Shaba kërkoi para togave të zeza kthimin e sendit të sekuestruar nga organi i prokurorisë për automjetin tip “Audi (A3)”, si edhe dokumentet shoqëruese. U provua se Drejtoria e Policisë së Tiranës ka vendosur sekuestrimin e automjetit. Ky automjet në kohën e sekuestrimit ka qenë në pronësi të Shabës, pas një kontrate të vitit 2007. Rezulton nga përmbajtja e procesverbalit të sekuestrimit se arsyeja e këtij sekuestrimi është pasi ky automjet mund të jetë i vjedhur. Për këtë automjet kishte edhe një leje qarkullimi të lëshuar nga autoritetet përkatëse shqiptare. Edhe për sa i përket përmbushjes së detyrimeve nga legjislacioni doganor dhe ai fiskal, rezulton se për automjetin me të dhënat si me sipër, këto detyrime rezultojnë të përmbushura rregullisht. Pas verifikimit, gjykata pranoi t’ia dorëzojë këtij shtetasi automjetin, duke u nisur nga mirëbesimi, ndërkohë që në prokurori vazhdon çështja penale.
#