Kushtetuesja ndan juristët
Debati publik për çështjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, ka përfshirë dhe ndarë në fronte jo vetëm politikën, por edhe juristët. Njohësit e ligjit e interpretojnë nga këndvështrime të ndryshme nenin 125 të Kushtetutës dhe përpjekjen e Presidentit për të zëvendësuar kryetarin me mandat të përfunduar më 7 qershor. Ish-kryetari i Komisionit të Ligjeve, Spartak Braho, aktualisht i angazhuar pranë LSI-së, thotë se Presidenti nuk ka kryer asnjë shkelje të Kushtetutës. Sipas tij, gjykata nuk është bllokuar në vendimmarrje. Por konstitucionalisti Luan Omari mendon se zëvendësimi në vjeshtë i Vladimir Kristos, sjell pasoja në funksionimin e këtij institucioni. “Mosemërimi ende i kreut të ri të Gjykatës Kushtetuese, pas përfundimit të mandatit trevjeçar nuk gjen mbështetje në dispozitat e ligjit themelor”. Ky është argumenti që jep ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Halil Kopani. Sipas tij, kjo logjikë juridike të çon në përfundimin se Presidenti i Republikës ka shkelur Kushtetutën. “Kjo shtyrje në kohë e këtij procesi ka ngjallur dhe një tjetër problematikë, atë të lënies së Gjykatës Kushtetuese pa kryetar, një vakancë kjo, aspak e nevojshme për një institucion të kësaj rëndësie”, thotë ai.
#