Sekuestrohen tre vetura luksoze, pranga dy personave
Në vijim të operacionit të policisë, të koduar “Makina luksoze”, që ka nisur ditë më parë, policia e Gjirokastrës ka mundur të sekuestrojë 3 automjete luksoze dhe të arrestojë dy shtetas, ndërkohë që është denoncuar dhe ndiqet në gjendje të lirë një person tjetër. Kulmin e tij operacioni e ka shënuar gjatë ditës së djeshme, kur specialistët e Seksionit Kundër Trafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, pasi kanë marrë informacion në rrugë operative, se një shtetas nga fshati Lazarat dispononte një automjet të vjedhur, kanë organizuar operacionin për ndalimin e tij dhe më pas, kur edhe janë verifikuar dokumentet e mjetit të vjedhur, e arrestoi atë. Uniformat blu kanë sekuestruar edhe autoveturën, që ishte në pronësi të këtij shtetasi.
Operacioni është finalizuar rreth orës 17:00 të së premtes, kur në vendin e quajtur Kordhocë grupet e policisë kanë bërë të mundur bllokimin e mjetit tip “Audi A8”, me targa CD674RJ, dhe shoqërimin e drejtuesit të mjetit, 24-vjeçarin Rezar Skënduli, për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Nga kontrolli i dokumentacionit, si dhe pas ekspertimit teknik të numrit të shasisë, veprime këto të kryera nga ekspertët e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, ka rezultuar se poseduesi i automjetit të vjedhur kishte ndërhyrje në numrin e shasisë. Po ashtu, mjetit i mungonte pllaka identifikuese, si dhe u konstatuan edhe parregullsi të tjera.
Burime zyrtare të policisë thanë se është bërë arrestimi i drejtuesit të automjetit, Rezar Skënduli, i datëlindjes 1986, lindur dhe banues në Lazarat të Rrethit Gjirokastër, si dhe sekuestrimi i automjetit, së bashku me dokumentacionin që dispononte, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikim të mjeteve motorike”, vepër kjo e parashikuar nga neni 141/a i Kodit Penal.
#