Radhë të gjata në Vërmicë

Për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme nga ana e autoriteteve kufitare policore të Shqipërisë, në pikën kufitare në Vërmicë janë krijuar radhë të gjata të automjeteve që presin të kalojnë kufirin.
Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka bërë të ditur për Kosovapress se vonesat janë krijuar nga autoritetet e Shqipërisë për shkak të mungesës së kapaciteteve për kontrollimin e automjeteve.
“Është e vërtetë se në pikën kufitare ka kolonë, varësisht prej punës që konfirmohet në kufi. Pengesat janë kryesisht tek autoritetet e kufirit policor të Shqipërisë. Sa i përket pikës tonë kufitare çdo gjë është duke shkuar në procedura normale”, ka thënë Kelani.
Sipas tij, në pjesën shqiptare të pikës kufitare janë vetëm tri kabina, të cilat bëjnë regjistrimin e automjeteve që hyjnë nga Kosova, ndërsa fluksi i qytetarëve dhe bashkatdhetarëve që kanë qenë në Kosovë është shumë i madh dhe se për këtë arsye është krijuar kolonë e gjatë.
Nikolin Mëhilli nga Tirana, është njëri prej qytetarëve që ka pritur për gati një orë në pikën kufitare të Vërmicës.
“Aktualisht para meje ka pasur mbi 2 kilometra kolonë nga makinat që presin të hyjnë në kufirin shqiptar. Kjo nuk më duket normale. E gjithë kjo vonesë bëhet nga kontrollet e detajuara. Në këtë kohë më lehtë hyn në Greqi se sa në Shqipëri. Nuk e di pse ndodh e gjithë kjo vonesë”, ka thënë Mëhilli përmes telefonit për Kosovapress.
Ai gjithashtu theksoi se këtë rrugë e bën dy herë në javë dhe se kjo tollovi në këtë pikë nuk ka ndodhur qe nga muaji gusht.(Kosovapress)