E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i ODIHR: Numërimi i votave është zvarritur, tension mes partive

Vëzhguesit ndërkombëtarë vlerësojnë me nota negative periudhën paszgjedhore në vendin tonë, e cila do të ndikojë në raportin përfundimtar të tyre, ku rrezikon të mos i zbusë tonet. Përkundrazi. Faza postzgjedhore mund ti shtojë ngjyrat negative. Të paktën ky raport i ndërmjetëm i Misionit të Vëzhguesve të ODIHR-it, që përfshin periudhën deri më 7 korrik dhe i bërë publik një ditë më parë, nuk lë shumë vend për optimizëm. Vëzhguesit ndërkombëtarë gjatë ndjekjes së këtij procesi në 66 vendet e numërimit të votave kanë konstatuar se ai u krye keq ose shumë keq në 22 prej tyre. Vëzhguesit e misionit të OSBE/ ODIHR në raportin e tyre të ndërmjetëm për situatën paszgjedhore të 28 qershorit kritikojnë zvarritjen dhe vonesën e procesit të numërimit, gjë e cila ka provokuar tension mes partive. Në raportin e ndërmjetëm postzgjedhor, misioni i vëzhguesve të ODIHR-it shprehet se numërimi i votave u zvarrit dhe se procesi u karakterizua nga nivele të larta mosbesimi mes partive dhe përfaqësuesve të tyre. Faza e numërimit dhe nxjerrjes së rezultatit është vlerësuar si moment thelbësor në procesin zgjedhor, dhe nga ecuria e të cilit do të varej në një pjesë të madhe edhe raporti përfundimtar i ODIHR-it. Raporti paraprak i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë i përbërë nga zyra e ODIHR-it, Asambleja Parlamentare e OSBE-së, NATO-s dhe Këshillit të Europës, i paraqitur vetëm 24 orë pas 28 qershorit, vlerësoi se zgjedhjet kishin shënuar një përparim të dukshëm në lidhje me proceset e regjistrimit dhe identifikimit të votuesve, si dhe me kuadrin ligjor. Por këto përmirësime, sipas raportit, u zbehën nga politizimi i anëve teknike të procesit nga partitë politike dhe shkeljet e vërejtura gjatë fushatës zgjedhore. Numërimi i votave u zvarrit dhe u karakterizua nga nivele të larta mosbesimi mes partive politike dhe përfaqësuesve të tyre në të gjithë nivelet e administratës zgjedhore. Vonesat në numërim shkaktuan tension mes partive, veçanërisht aty ku rezultatet ishin ose dukej të ishin të afërta. Në disa raste, votimi u bllokua përkohësisht. Ndërhyrjet e vëzhguesve apo kandidatëve të partive në procesin e numërimit krijuan shpesh shpërqendrim, thekson raporti.
VNV, në 1/3 numërimi u krye keq
Sipas këtij raporti, në 22 nga 66 vendet e numërimit të votave, (pra saktësisht në një të tretën), vlerësohet se numërimi u krye keq ose shumë keq. Sipas vëzhguesve, probleme janë vënë re në respektimin e procedurave, ku veçohet fakti se në të paktën 9 qendra numërimi, zbatimi i tyre ishte i dobët. Njëri nga problemet kryesore që u vunë re gjatë numërimit ishin mosmarrëveshjet nëse duheshin numëruar ose jo votat nga disa qendra votimi. Në disa VNV nuk u numëruan të gjitha kutitë e votimit, duke mos u përfshirë në Tabelën Përmbledhëse të Rezultateve, thuhet në raport. Veprimtaria e Komisioneve zonale të Administrimit zgjedhor është konsideruar e keqe ose shumë e keqe në 11 prej tyre, ose në një të pestën e tyre. Ndërsa në shumicën dërrmuese të Qendrave të Numërimit, një ose më shumë grupe numërimi patën vështirësi në plotësimin e tabelave të rezultateve.
Associated Press, publikoi pjesë të raportit
Sipas një artikulli të publikuar një ditë më parë nga Associated Press, ndërhyrjet politike kanë shkaktuar vonesa në numërimin e votave të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Mosbesimi që ekzistonte mes forcave politike dhe përfaqësuesve të tyre në të gjitha nivelet e administrimit të zgjedhjeve çuan në tejzgjatje të procesit, citon AP një burim nga misioni i vëzhguesve të OSBE. Sipas artikullit të botuar nga kjo agjenci vëzhguesit kanë vërejtur probleme proceduriale si pasojë e mungesës së trajnimit të pamjaftueshëm të komisionerëve dhe kritikojnë KQZ për nivel të ngadaltë administrimi dhe menaxhim të papajtueshëm të ankimimeve. Rreth 500 vëzhgues ndërkombëtar monitoruan nga afër procesin zgjedhor, të konsideruar si një test i rëndësishëm për progresin e demokracisë në vend. Nga rezultatet paraprake koalicioni i djathtë Aleanca për ndryshim fitoi 47.99% të votave ndërsa koalicioni i majtë Bashkimi për ndryshim 44.31% të votave dhe LSI 5.48% të votave.

**********************************************************************************
ODHIR: KQZ nuk ka ndërhyrë në GNV që kanë pasur probleme  
Një vend jo i vogël i është kushtuar veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në raportin paszgjedhor të OSBE/ODIHR, që përfshin periudhën deri më 7 korrik dhe i bërë publik një ditë më parë. Sipas këtij raporti Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpesh nuk ka ndërhyrë në rastet kur në Grupet e Numërimit të Votave ka pasur probleme. Në raport shkruhet se fatkeqësisht, kur u vërejtën apo u raportuan probleme në Vendet e Numërimit të Votave, KQZ vendosi të mos ndërhynte pavarësisht faktit se ndodhej në pozitë të tillë ku mund të vëzhgonte atë që po ndodhte. Në raport përshkruhet edhe situata e tensionuar që ka karakterizuar mbledhjet e KQZ, akuzat e ndërsjella dhe gjuha shpesh e ashpër, si edhe fakti se vendimet janë marrë gjithnjë me 4 vota pro e 3 kundër, duke reflektuar ndarjen politike të anëtarëve të KQZ. Të gjitha vërejtjet e ngritura nga vëzhguesit shoqërohen me shembuj konkretë. Deri tani në KQZ janë bërë 16 ankimime ndaj tabelave përmbledhëse të rezultateve nga zonat e administrimit zgjedhor të qarkut të Tiranës dhe Durrësit. Këto ankimime u pezulluan për tu shqyrtuar pas miratimit të tabelës përmbledhëse të rezultateve për zonën zgjedhore përkatëse nga KQZ, thuhet në raport. Po ashtu, një vend të veçantë në raport ka zënë dhe situata e krijuar në Fier, për të cilën raporti thotë se pati probleme serioze me numërimin e votave, ku përveç tre qendrave të votimit që nuk u hapën fare ditën e votimit në tabelën përmbledhëse të rezultateve nuk u përfshinë rezultatet e nëntë kutive të votimit. OSBE/ODHIR ka kritikuar edhe procesin e vendosjes së fletëve të votimit përpara video kamerës. ODIHR thekson se sistemi i ri elektronik i monitorimit nuk e ka rritur shumë transparencën e procesit dhe jo gjithmonë ishte e mundur të shihej se për cilin subjekt ishte votuar, apo nëse votat vendoseshin në stivën e votave të partisë së duhur,  fakt ky që solli edhe aludimet e partive të vogla se votat e tyre ishin vendosur në stivat e partive të mëdha.  Sipas vëzhguesve përdorimi i kamerave përpara së cilave vendosej çdo fletë votimi, nuk e ka rritur shumë transparencën e procesit. Ky moment, kontribuoi vetëm pjesërisht në transparencën e procesit, por nuk zgjidhi disa nga problemet e ndërhyrjeve të vërejtura në zgjedhjet e mëparshme. Edhe pse fletët e votimit shfaqeshin në këto aparatura, jo gjithmonë ishte e mundur të dallohej se për cilën parti ishte bërë shënimi, thuhet në raport. Ndërsa transportin e materialeve të votimit, Misioni vëzhgues e ka vlerësuar 90 për qind të mirë në gjithë territorin, ndërsa në disa zona ai ishte i ngadaltë. Raporti thotë se misioni i vëzhguesve do të ketë një grup të vogël ekspertësh për të ndjekur fazat e papërfunduara të procesit zgjedhor, në veçanti shqyrtimin e ankesave dhe kërkesëpadive, gjë që mund të kërkojë edhe disa javë.

*****************************************************************************
Suedia mbështet Shqipërinë për liberalizimin e shpejtë të vizave     
Suedia, që mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, mbështet përmbylljen sa më të shpejtë të shqyrtimit të aplikimit të Shqipërisë për statusin kandidat për në BE. Ky qëndrim iu bë i ditur ministrit të jashtëm Lulëzim Basha gjatë samitit të Kroacisë nga homologu i tij suedez, Karl Bildt. Ministri i jashtëm suedez tha se Suedia mbështet edhe përmbylljen pa vonesë të procesit të liberalizimit të vizave për shtetasit shqiptar. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm Lulzim Basha informoi Bild për procesin e formimit të koalicionit të ri qeverisës dhe objektivin e tij themelor, integrimin europian të vendit. Ministri Basha morri pjesë në samitin e Kroacisë, temë e së cilës ishte perspektiva euroatlantike e Ballkanit Perëndimor, forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit rajonal dhe i bashkëpunimit në fushën e infrastrukturës, energjisë, ambientit, etj. Gjatë Samitit u theksua s

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›