KKSHA uron kryeministrin Berisha për fitoren e zgjedhjeve
Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (KKSHA) ka uruar ditën e djeshme nga Shtetet e Bashkuara, Partinë Demokratike dhe kreun e saj Sali Berisha për fitoren e zgjedhjeve. Po ashtu, KKSHA ka uruar popullin shqiptar për një proces zgjedhor që u vlerësua nga vëzhguesit ndërkombëtarë, si të lira dhe të ndershme.
Më tej, KKSHA-ja përgëzon bashkëpunimin e forcave politike për përpilimin e ligjeve të reja në lidhje me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. "Këto ndryshime ligjore krijuan mundësinë që në Shqipëri të zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme", ka vlerësuar Avni Mustafaj, drejtor ekzekutiv i KKSHA. Po ashtu, ai tha se të gjitha forcat politike meritojnë të vlerësohen për kontributin e tyre për të arritur standardet më të larta zgjedhore që janë zhvilluar deri tani në Shqipëri. Nga ana tjetër, Mustafaj konsideron se vitet e fundit, Shqipëria ka pasur një progres sinjifikant për sa i përket arritjes së standardeve të caktuara nga institucionet Euro-Atlantike, gjë që solli anëtarësimin ne NATO. Sipas tij, zgjedhjet e 28 Qershorit, u panë si një hap i madh përpara drejt procesit të anëtarësimit të Shqipërisë ne Bashkimin Evropian. Sakaq, KKSHA-ja shpreson që Partia Demokratike të krijojë qeverinë e re sa më shpejt të jetë e mundur.