E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rahoveci mbushet mend

Kryesia e KF Rahovecit e ka dënuar ashpër rastin e ndodhur në Vushtrri, ku futbollisti i këtij klubi, Gazmend Hamza sulmoi fizikisht gjyqtarin kryesor Burim Jahmurati në ndeshjen Kosova (V) – Rahoveci. Hamza është përjashtuar përgjithmonë nga klubi. Tash e tutje s’do të ketë më tolerime. Secili lojtar që e ndjek rrugën e Hamzës do të përjashtohet automatikisht nga klubi.

Klubi i futbollit Rahoveci po tregohet mjaft problematik këtë sezon në Ligën e Parë të Kosovës në futboll. Skuadra nga Rrafshi i Dukagjinit ka qenë protagoniste dhe e përfshirë në dy ndeshje, ku është sulmuar fizikisht gjyqtari i ndeshjes.

Fillimisht, dy javë më parë, në ndeshje me Ballkanin, i cili më pas e fitoi ndeshjen në tavolinë, 3:0, ndërsa rasti më i freskët është ai ndaj Kosovës së Vushtrrisë, ku sërish u sulmua gjyqtari i ndeshjes dhe ndeshja u ndërpre. Këto raste e kanë mllefosur kryesinë e klubit, e cila është mbledhur urgjentisht të mërkurën mbrëma për të diskutuar rreth rasteve të fundit.

Nga kjo mbledhje, kryesia ka dalë me qëndrimin se nuk do të tolerohen më sulme të tilla ndaj gjyqtarëve, edhe në rast se dëmtohet klubi nga ndarësit e drejtësisë në fushë. Çdo gjest i tillë i pahijshëm do t’u kushtojë lojtarëve më përjashtim nga klubi.

“Sa i përket ndeshjes me Ballkanin, gjyqtari Florim Jakupi, pas gabimeve të qëllimshme që i bëri, është sulmuar nga shikuesit dhe ne nuk mund të bënim asgjë. Ndërsa ndaj Kosovës (V) sërish jemi dëmtuar nga gjyqtari dhe lojtarët ishin nervozë nga ngjarja që ndodhte më parë në Rahovec, me ç’rast njëri prej tyre, Gazmend Hamza reagoi në mënyrë antisportive, pasi u ndëshkua me karton të kuq”, deklaroi për Express drejtori i KF Rahovecit, Fehmi Haxhimustafa.

Hamza përpos dënimit që mund ta marrë nga komisionet përkatëse të Federatës së Futbollit të Kosovës, nuk ka shpëtuar lehtë as nga drejtuesit e klubit. “Pas mbledhjes vendosëm të distancohemi nga Gazmend Hamza. Ai është përjashtuar dhe nuk do të luajë më për Rahovecin”, nënvizoi ai.

Haxhimustafa njofton po ashtu se nuk do të bëhen më tolerime. Secili lojtar që e ndjek rrugën e Hamzës, edhe nëse rahovecasit dëmtohen nga gjyqtarët, do të përjashtohet automatikisht nga klubi. Po ashtu, kryesia e Rahovecit e ka dënuar ashpër rastin e ndodhur në Vushtrri.

Rahoveci gjendet në pozitën e fundit në tabelë me vetëm 5 pikë nga 8 ndeshje të zhvilluara. Ky ekip e ka një ndeshje më pak të zhvilluar, por, sipas të gjitha gjasave, ky takim do të regjistrohet në të mirë të Kosovës së Vushtrrisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›