E Diel, 1 Nëntor 2026

Rajapaksa rizgjidhet president i Shri Lankës

Presidenti i Shri Lankës, Mahinda Rajapaksa, është rizgjedhur në këtë funksion, pasi që mposhti në zgjedhje ish-shefin e ushtrisë së Shri Lankës, për të kryesuar kështu edhe më tutje përpjekjet për rindërtimin e vendit, pas luftës shkatërrimtare qytetare, e cila zgjati 25 vjet, ka njoftuar sot televizioni shtetëror.

Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, Rajapaksa ka fituar 58 për qind të votave, ndërsa ish-gjenerali Sarath Fonseka, ka fituar 40 për qind të votave.

Që të dy kandidatët konsiderohen si heronj të luftës nga shumica sinhaleze, për shkak të ofensivës së tyre të suksesshme për të shkatërruar kryengritësit tamilë, pas 25 viteve të konfliktit.

Por makina e fuqishme politike e Rajapaksas pamundësoi përpjekjet e Finsekas për të shënuar fitore në zgjedhjet, të cilat u zhvilluan të martën.

Fonseka kishte shpresuar në përkrahjen e fuqishme të tamilëve etnik, të cilët kishin vuajtur shumë gjatë ofensivës së qeverisë kundër kryengritësve, por pjesëmarrja e tamilëve në zgjedhje ishte mjaft e ulët.

Pjesëmarrja në zgjedhje ishte rreth 70 për qind, me ç’rast Rajapaksa fitoi 5.5 milionë vota, ndërsa Fonseka 3.9 milionë. Fillimisht nuk kishte asnjë reagim nga ana e kandidatëve pas publikimit të rezultateve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›