Pullat kinematografike

Mos u habitni kur një ditë prej ditësh, në derën e juaj troket postieri, kudo nëpër botë, derisa në letrën e dërguar nga një mik apo i dashur është e vendosur një pullë interesante postare.
Filatelia e Postës së Kosovës ka lansuar edicionin më të ri të pullave postare, me titull “Kinematografia Kosovare”.
Në këtë edicion të fundit shohim tri pulla postare me figurën e yjeve të kinematografisë kosovare.
Në këto pulla postare na vjen fytyra e një aktori, i cili tri vite më parë u largua nga jeta. Për një kohë të gjatë u mundua ta luftojë dhimbjen, ndonëse asnjëherë nuk e shfaqi atë në publik.
Edhe në ditët më të vështira të jetës së tij erdhi në teatrin “Dodona”, sikur donte t’i thoshte publikut, shokëve dhe studentëve të tij, lamtumirë. Po flasim për aktorin i cili luajti në dhjeta filma, shfaqje dhe seri televizive. E kur teatri i Kosovës po përjetonte ditët më të vështira në fillimin e viteve të 90-ta, ai i kthehet studentëve të aktrimit.
Është ky aktori Faruk Begolli. Nëse Begolli, konsiderohet si një vulë në teatrin dhe filmin e Kosovës e pse jo edhe të ish – Jugosllavisë, atëherë aty gjendet edhe një femër e skenës.
E kanë quajtur Melihate Ajeti, apo më shkurt të themi primadonë e dramës shqiptare.
Vdiq në vitin 2005 duke lënë pas vete më shumë se 180 role. E kush mund të jetë me e gëzuar nga dalja e këtyre pullave postare sesa vajza e saj Antigona Qena – Kaçaniku.
“Është një gjë sa e bukur aq edhe prekshme për mua, sepse e dini, vazhdimisht provoj të gjej mënyra që t’i prezantoj vlerat tona e krijuesit tanë, që i dhanë aq shumë këtij vendi, kësaj kulture, krijues që i kanë dhënë madhështi, bukuri, një frymë qytetërimi dhe vërtet nuk janë të shumtë, janë të pakët, të rrallë e të pa përsëritshëm, mu për këtë, nuk duhet lënë të harrohen”, tha Antigona për Express.
Antigona vlerëson se kjo nismë e Filatelisë së Kosovës i bën nder gjithë Kosovës.
“Një shenjë e bukur nga e kaluara për ardhmërinë”, u shpreh Qena – Kaçaniku. Ajo ndihet e emocionuar kur fytyra e Melihate Qenës do të shëtisë nëpër botë, përmes letrave të ndryshme.
“Emocionohem, jo pse e kam pasur nënë, por ngase është Melihate Ajeti, mbretëresha e skenës-Primadona e Teatrit Kombëtar”, tha në fund Antigona për Express.
E kur Melihate Qena sillte shpirtin e një femre në teatër, ishte zëri i Abdurrahman Shalës që e krijonte një termet mashkullor. Ishte viti 1994 kur nga jeta ndahet aktori i njohur, producenti dhe skenarist i filmit të gjeneratës së parë të kinematografisë kosovare.