E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rajkard: Duam gjithçka nga ky sezon

04/01/2005  Për trajnerin e Barcelonës, Frenk Rajkard dhe futbollistët katalanas kanë mbaruar ditët e pushimeve dhe ka filluar puna. Dje skuadra e parë e kampionatit spanjoll ka zhvilluar stërvitjen e parë, pas festave të fundvitit. Trajneri holandez duket në përgjithësi i kënaqur me gjendjen e skuadrës: "Kemi zhvilluar seancën e parë stërvitore në vitin 2005 dhe mund të them se rendimenti i skuadrës ka qenë i kënaqshëm. Sigurisht që futbollistëve do t`i duhen edhe pak ditë për të arritur në formën më të mirë, por nuk është një problem që shqetëson". Trajneri fiskon menjëherë objektivat e para të Barcelonës në këtë pjesë të sezonit: "Do të jetë shumë e rëndësishme të ruajmë distancën me vendin e dytë deri në shkurt, sigurisht nuk do të ishte keq, nëse arrijmë më shumë. Duhet të arrijmë në Ligën e Kampioneve me qetësinë dhe përqendrimin e duhur". Në sulmin e Barcelonës mungon një alternativë e suedezit Larson, i cili është dëmtuar dhe nuk do të luajë deri në fund të sezonit: "Kam biseduar me presidentin Laporta dhe më ka premtuar për një zëvendësues. Jam i qetë, sepse e di që ai është njeri i fjalës. Gjithsesi një sulmues nuk është jetësore për ne, kështu që mund të ecim përpara edhe me futbollistët që kemi në skuadër". Frenk Rajkard është një nga trajnerët e paktë që nuk e preferon turn-overin dhe tifozët e Barcelonës kënaqen me spektaklin konstant që dhuron Barcelona: "Këtu në Katalonjë është e pamundur të dëgjosh për turn-over. Të gjithë tifozët vijnë në stadium për të shijuar spektakël dhe nëse ne fitojmë me dhunë marrim shumë fërshëllima. Është një mentalitet ndryshe. Jam duke u përshtatur mjaft mirë këtu". Eto, Deko, Ronaldinjo dhe Ksavi janë disa nga futbollistët më kryesorë të formacionit që nuk kanë pushuar asnjëherë. Nëse një ditë u mbaron energjia? "Do të luajmë me të gjithë futbollistët e pankinës"- ka thënë duke qeshur trajneri katalanas. Cilin trofe do të zgjidhje Rajkard: kampionatin apo Ligën e Kampioneve? "Do të ishte një sezon i madh, nëse do t`i fitojmë të dyja. Kampionati është shumë i rëndësishëm për ne, por Liga e Kampioneve është një kompeticion që lakmohet nga të gjitha skuadrat e mëdha. Është e pamundur të zgjedhësh njërën prej tyre".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›