E Hënë, 2 Nëntor 2026

Reali ka zgjedhur Luksemburgon

04/01/2005  

Vanderlei Luksemburgo është trajneri i ri i Real Madrid: dhe më në fund ka ardhur konfirmimi zyrtar nga drejtuesit e skuadrës. Tekniku brazilian, që do të marrë vendin e Mariano Garcia Remon, është prezantuar gjatë një konference për shtyp, ku kanë qenë të pranishëm Arrigo Saki dhe Emilio Butragenio. Luksenburgo, që ka ardhur nga klubi brazilian i Santos, do të firmosë për "Galaktikët", një kontratë për një vit e gjysmë dhe do të marrë me vete stafin e tij, të përbërë nga një përgatitës atletik dhe trajnerin e dytë. Zv/presidenti i Real Madrid, është i kënaqur për zgjedhjen e bërë: "Nga shumë opsione që kishim-ka shpjeguar Butragenio përpara medias- jemi të bindur se kjo e Vanderleit është më e mira për t`i dhënë një zgjidhje përfundimtare situatës që është krijuar në skuadër. Me ardhjen e Sakit në klub është hapur një epokë e re, për sa i përket anës teknike: këtë e kemi thënë edhe më parë. Falenderojmë Mariano Garcia Remon për profesionalitetin që ka demonstruar gjatë kësaj periudhe në krye të skuadrës: nuk ka qenë një zgjedhje e lehtë, por e nevojshme. Ish- trajneri do të vazhdojë të kontribuojë për skuadrën dhe tani do të jetë një nga bashkëpunëtorët e parë të Arrigo Sakit". Nga ana e tij, Saki e ka komentuar kështu, ardhjen e Luksemburgos te Real Madridi: "Vjen një trajner i madh- ka komentuar ish-trajneri i Milanit dhe nacionales italiane, që në Brazil konsiderohet si një nga më të mirët. Mendojmë se me të në pankinë, skuadra do të jetë në gjendje të demonstrojë një futboll të pëlqyeshëm, ashtu siç dëshiron presidenti Florentino Perez". Saki i është përgjigjur edhe pyetjes pse mungon një trajner me famë në pankinën e Real Madrid, skuadër që sezonet e fundit ka fituar shumë trofe, por që tani është shumë larg kohërave të bukura: "Pse mungon një trajner i madh në pankinë? Nuk kemi pasur shumë emra të mëdhenj për të zgjedhur. Kemi një skuadër që përbëhet nga elementë shumë cilësorë dhe nuk është e thënë që kjo skuadër mund të fitojë vetëm me një trajner të madh. Jam i bindur se Luksemburgo do të punojë shumë mirë me këtë skuadër". Luksemburgo është në përgjithësi i emocionuar: ëndrra për të drejtuar një skuadër të madhe si Real Madrid, është realizuar. Ish-trajneri i nacionales braziliane është i lumtur: "Jam shumë i kënaqur që jam këtu në Madrid, por të drejtosh një skuadër të madhe si Real Madrid është një përgjegjësi shumë e madhe. Në filozofinë time si trajner, janë katër faktorë të rëndësishëm, të cilët bëjnë që gjërat të shkojnë ashtu siç duhet: disiplina, bashkimi, puna dhe profesionaliteti. Nuk e di se si janë futbollistët, por do të flas me secilin prej tyre. Kjo është e sigurtë". Trajneri që njeh mirë disa elementë të skuadrës, si Roberto Karlos dhe Ronaldon, ka fitur disa trofe të rëndësishëm në karrierë: ka fituar pesë kampionate brazilianë dhe një Kupë Interkontinentale në 1996-ën me Palmeiras. Ka qenë trajneri i nacionales braziliane nga 1998-a deri në 2000-in: gjatë kësaj periudhe ka fituar një Kupë të Amerikës (1999). Luksemburgo do të drejtojë për herë të parë një skuadër evropiane. Në të shkuarën, emri i tij është lakmuar nga skuadra të tjera spanjolle: Barcelona dhe Valencia.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›