E Hënë, 2 Nëntor 2026

Anglia, “mbretëresha” e merkatos

26/12/2004  

Ky vit që jemi duke lënë pas, është hapur me një vrull të madh prej klubeve angleze, të cilat shkarkuan gjithë energjitë e tyre për merkaton e janarit. Kështu, Arsenali rekrutoi nga Sevilja spanjollin Hoze Antonio Rejes, me shifrën e 25.6 milionë eurove, një rekord për klubin londinez. Sigurisht, nuk mund të rrinte duarkryq as bosi i Çelsit, Roman Abramoviç, i cili solli në “Stemford Brixh”, një tjetër ndryshim të vogël që quhej Skot Parker, me vlerën e 14.6 milionë eurove. Po të njëjtën shumë ka shpenzuar edhe Mançester Junajtid, për të transferuar nga Fulhami, sulmuesin francez, Luis Saha. Në fakt, ky i fundit, nuk ishte përforcimi i vetëm për sulmin e djajve të kuq në këtë vit. Fillimi i merkatos së verës, solli në “Old Traford” edhe ish-sulmuesin e Lidsit, Alan Smith. Ndërsa në fundin e muajve të verës 2004, klubi i Mançester Junajtid, duke kënaqur edhe shijet e trajnerit të mirënjohur, Sir Aleks Ferguson, ka realizuar një goditje të madhe në merkato. Kështu, pas spekullimeve të shumta në lidhje me talentin 19 vjeçar, Uejni Runi, më në fund, Sir Aleks, arriti të kishte nën urdhrat e tij, ish-sulmuesin e Evertonit. Mançester Junajtid, ka paguar plot 29.6 milionë euro, vetëm për të shtirë në dorë adoleshentin e talentuar të përfaqësueses angleze, i cili prej kohësh ishte lakmuar nga skocezi Ferguson. Në këtë mënyrë, ishin vetëm klubet angleze ato të cilat kishin thënë fjalën e tyre për transferimet e ndryshme në merkato. Nga ana tjetër, kampionët në fuqi të Evropës, Porto si dhe Monako, pavarësisht suksesit të arritur në Ligën e Kampioneve, nuk patën fuqinë e duhur për të mbajtur në skuadër disa prej lojtarëve më të rëndësishëm. Ishin Rikardo Karvajo e Paulo Ferreira, të cilët braktisën Porton, për t’iu bashkuar trajnerit të tyre, Hoze Murinjo, që ishte ulur në pankinën e Çelsit. Deko, ndryshe nga dy shokët e skuadrës, zgjodhi si drejtimin e tij për të ardhmen, skuadrën e Barcelonës, së cilës kjo marrëveshje me Porton, i kushtoi spanjollin Kuaresma dhe 15 milionë euro. Paratë e fituara nga ky pazar me leverdi, klubi i Portos, nën drejtimin e trajnerit spanjoll, Viktor Fernandez, i shpenzoi për të sjellë nga Santos, talentin e ri brazilian, Diego. Jo të pakta ishin firot edhe për Monakon, që në merkaton e verës të këtij viti, iu tha lamtumirë kapitenit Ludovik Zhuli në drejtim të Barcelonës, Zherom Roten te Paris SG si dhe Dado Prso te Rejnxhers. Vetëm Havier Shevanton, Mohamed Kallon dhe mbrojtësi brazilian, Maikon, ishin të ardhurit e rinj për skuadrën e drejtuar nga Didier Deshamps. Një tjetër goditje e fortë në merkato për Barcelonën, ishte edhe transferimi i kamerunasit, Samuel Etoo nga Majorka, me vlerën e 24 milionë eurove. Ndërsa për rivalët e Real Madrid, ndonëse përforcimet në mbrojtje ishin prioriteti kryesor, gjithsesi, ardhja e Majkëll Ouen nga Liverpuli dhe Xhonatan Vudgeit nga Njukasëlli, shtangu mbarë opinionin e futbollit botëror. Së bashku me argjentinasin e Romës, Valter Samuel, shifra totale e shpenzimeve shkoi deri në 47 milionë euro. Për Valencian pati një revolucion rrënjësor, ku spikatën trajneri italian Klaudio Ranieri dhe bashkëpatriotët e tij Moreti, Fiore, Di Vajo dhe Korradi. Nuk mund të mbetet prapa as transferimi i Emerson da Roza nga Roma për te Juventusi me shifrën e 28 milionë eurove. Juventinët u forcuan këtë vit edhe me ardhjen e sulmuesit suedez, Zlatan Ibrahimoviç si dhe mbrojtësin Fabio Kanavaro. Më të vogla ishin transferimet për skuadrat milaneze, ku spikatin Jap Stam, Hernan Krespo, Huan Veron dhe Edgar Davids. Së fundi, blerjet tronditëse i ka shënuar sërish Anglia me në krye Çelsin e Roman Abramoviç, që edhe në merkaton e verës, nuk ndjente të ngopur me transferim lojtarësh. Kësaj radhe “tekat” e Murinjos u plotësuan më së miri, ku në fund të verës, në Londër zbarkoi sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Didier Drogba. Ky i fundit u transferua nga Marseja për vlerën e 35 milionë eurove.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›