E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ish-pronarët ankohen në Gjykatën Kushtetuese

26/12/2004  Shoqata e ish-pronarëve "Pronësi me Drejtësi", ka paraqitur kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për të rrëzuar ligjin e miratuar në datën 30 korrik për kthimin dhe kompensimin e pronave. Burimet kanë bërë të ditur se është kërkuar shfuqizimi i nenit 2, 6, 8 dhe 15. Në argumentin e ish-pronarëve theksohet se, prona është e paprekshme, si kur është e luajtshme, ashtu dhe e paluajtshme. Ndërsa, në nenin 2 është përjashtuar kompensimi i pronave të luajtshme, për të cilin është kërkuar miratimi i një neni të veçantë. Ndërsa, për nenin 6 është theksuar se është i papranueshëm kufizimi i kthimit të tokës bujqësore vetëm deri në 60 ha tokë. Duke u bazuar në konventat ndërkombëtare, ish-pronarët kanë deklaruar se prona nuk mund të konfiskohet me të padrejtë. Në të gjitha rastet, këtu përfshihen dhe shpronësimet publike, parashikohet kompensimi i drejtë i atyre që iu merret prona. Por në ligjin e miratuar në Parlament, tokat bujqësore do të kthehen vetëm në 60 ha tokë, ndërsa për pjesën tjetër nuk ka as kompensim. Një tjetër ankesë e ish-pronarëve është dhe afati i paraqitjes së kërkesave për kthimin e pronave. Në nenin 15 është parashikuar se kërkesat paraqiten një vit nga hyrja në fuqi e ligjit. Duke parë se për një kohë të gjatë, Komiteti Shtetëror i Pronave do të jetë i zënë me ngritjen e komisioneve vendore, ish-pronarët kanë kërkuar rishikimin e kësaj çështjeje, pasi deri më tani nuk ka një proces të qartë. Në ankim është theksuar se procedura e vlerësimit të tokës, duhet të jetë vendosja e çmimeve të tregut. Në një prononcim të dhënë për "Metropol", sekretari i Përgjithshëm i shoqatës "Pronësi me Drejtësi", Agim Toro, tha se i është kërkuar qeverisë që të paraqesë listën e objekteve shtetërore, që do të përdoren për të kompensuar ish-pronarët. Ish-pronarët theksojnë se në rast të mos miratimit të kërkesës së tyre në Gjykatën Kushtetutese do t'i drejtohen gjykatës së Strasburgut.

Kërkesa

Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave ka kërkuar nga Qeveria që të përcaktojë buxhetin dhe zërat e tij, që do të përdoren për kthimin dhe kompensimin e pronave. Burimet kanë bërë të ditur se Komiteti Shtetëror është në pritje të këtij buxheti, pasi deri më tani nuk i ka shkuar asgjë zyrtare. Nga ana tjetër, shoqata "Pronësi me Drejtësi" e ka ngritur shqetësimin për ligjin e kthimit dhe kompensimit të pronave pranë strukturave të larta të Bashkimit Evropian. Duket se ky ka qenë shkaku që në deklaratën e BE-së për Shqipërinë, dy javë më parë, një vend i rëndësishëm i është dhënë zbatimit të ligjit për pronat. Europarlamentarët e kanë konsideruar një pikë tepër të rëndësishme paraqitjen e një buxheti konkret për kthimin dhe kompensimin e pronave të paluajtshme. Megjithatë puna do të vijojë me ngritjen e komisioneve vendore.

Në janar nis shqyrtimi i vlerësimit të tokave

Komiteti Shtetëror në përfundim të konkurrimeve

Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave e ka nisur punën një muaj më parë. Deri më tani është punuar me konstituimin e komisioneve vendore. Për to janë zhvilluar konkurse për çdo zonë të veçantë. Ndërsa për të gjithë është kërkuar paraqitja e CV-ve, ku do të jetë saktësuar përfundimi i universitetit, ku kërkohet ekonomiku, agronomia, juridiku dhe degë të lidhura me ndarjen e tokës. Burimet thanë se brenda muajit janar do të përfundojë puna me këto komisione dhe më pas do të nisë diskutimi i metodikës për përcaktimin e çmimit të kthimit dhe kompensimit të pronave. Në këtë metodikë është kërkuar shmangia nga çmimet e shitblerjeve reale, që cilësohen të tejkaluara në Shqipëri në krahasim me vendet e tjera të Evropës. Burimet thanë se vetëm për banesat do të kërkohet reflektimi mbi çmimet e tregut. Kurse për çmimin e tokës bujqësore, gjithçka do të bazohet në prodhimtarinë, afërsinë me tregun si dhe vaditshmërinë e tokës. Këto shifra do të jenë të ndryshme në zona të ndryshme. Ndërsa një tjetër sistem do të përdoret në vlerësimin e tokave truall. Sipas metodikës, tokat truall që janë në qytete të mëdha do të jenë dhe më të shtrenjta. Ndërsa ekspertët do të vlerësojnë se deri në sa kate lejohen ndërtimet në këto toka. Sa më shumë të rezistueshme të rezultojnë këto troje ndaj tërmeteve, aq më i shtrenjtë do të jetë çmimi. Gjithsesi, Komiteti i Pronave vetëm në muajin janar do të marrë në shqyrtim këtë çështje, e cila parashikohet që të sjellë debate të ashpra mes palëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›