Olldashi: Bashkia të marrë nën administrim ujësjellësin
Bashkia e Tiranës duhet të marrë nën administrim ujësjellësin. Kërkesa, çuditërisht këtë radhë vjen nga qeveria. Ministri Olldashi, dje gjatë takimit mbi "Forcimin e rolit të Entit Rregullator të Ujit", theksoi se procesi i transferimit të shoqërive të ujësjellësve është realizuar në masën 83 për qind, por Bashkia e Tiranës nuk e ka marrë akoma nën administrim. "Procesi i transferimit duhet të kishte përfunduar tashmë dhe organet e pushtetit vendor duhet të kishin marrë përgjegjësitë për administrimin e tyre, por puna ka ngecur në dy bashkitë më të mëdha të vendit, atë të Tiranës dhe Durrësit". Sipas tij, problemi bëhet edhe më i mprehtë nga fakti se rezulton të ketë një frymë totalisht demagogjike ndaj ujit nga disa segmente të pushtetit vendor, kryesisht nga Bashkia e Tiranës, e cila ka shërbyer si model i keq edhe për Bashkinë e Durrësit. "Prej vitesh ka patur thirrje nga Bashkia e Tiranës drejtuar qeverisë për transferimin e sistemit dhe ka më se një vit që ky sistem është transferuar pranë organeve të pushtetit lokal, por Bashkia e Tiranës nuk merr përsipër dhe tenton të luajë politikisht me një materie që nuk ka as ngjyrë, shije, as erë, sikurse është uji". Në këtë linjë ai theksoi se do të ishte e padenjë që Bashkia e Tiranës të spekulonte me këtë problem dhe ta mbante peng për ta përdorur politikisht, diçka që nuk duhet përdorur politikisht, pasi, sipas tij, "uji shërbehet për të majtë e të djathtë si dhe për të vegjël e të mëdhenj".