E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama - deputetëve: “Harroni listat, përqendrohuni tek puna në grup”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Porositë e kryesocialistit vijnë në një moment kur në radhët e PS-së ndihet tensioni i përfshirjes ose jo në listat zgjedhore. Lufta mes të rinjve dhe të vjetërve duket se është mjaft e ndjeshme në PS, edhe pse asnjë prej deputetëve nuk e pranon hapur një fakt të tillë”

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u kërkon deputetëve socialistë që të përqendrohen tek të bërit opozitë dhe jo tek fakti se kush do të jetë ose jo në listat e kandidatëve për deputetë në vitin 2009. Gjatë mbledhjes së djeshme të Grupit Parlamentar të selisë rozë, e para për sesionin e ri kuvendor, kjo ka qenë kryefjala e diskutimeve. Kryesocialisti, i cili ishte vetëm gjatë një pjesë të mbledhjes së djeshme të deputetëve socialistë, ka kërkuar që gjithë puna të përqendrohet tek të bërit opozitë dhe te trajtimi i çështjeve të ditës. Madje, sipas tij, deputetët nuk duhet të merren as me problemet e zonave të tyre, të cilat me sistemin e ri zgjedhor do të ndryshojnë, por tek të bërit opozitë të vërtetë ndaj kundërshtarit të tyre. Rama ka pohuar se për socialistët vetëm njëri është kundërshtar, duke nënkuptuar kreun e Qeverisë, Berisha, sepse të tjerët janë të thyeshëm. Porositë e tij vijnë në një moment kur në radhët e PS-së ndihet tensioni i përfshirjes ose jo në listat zgjedhore. Lufta mes të rinjve dhe të vjetërve duket se është mjaft e ndjeshme në PS, edhe pse asnjë prej deputetëve nuk e pranon hapur një fakt të tillë.
Listat
“Harroni listat dhe përqendrohuni tek puna e Grupit Parlamentar. Emrat e kandidatëve për zgjedhjet e vitit 2009 do të dalin vetëm një ditë para fushatës”, - mësohet të ketë deklaruar Rama gjatë mbledhjes së djeshme të grupit. Ai u ka kërkuar më tej deputetëve të jenë më koherentë e më bashkëpunues në punën në grup dhe të përqendrohen tek çështjet e ditës dhe jo tek zgjedhjet e 2009-ës. Fjala e tij është mbështetur nga deputeti Bashkim Fino, i cili ka pohuar se duhet të reflektohet mbi atë çfarë deklaroi kryetari. Lista e kandidatëve të ardhshëm për deputetë do të jetë një diskutim i nxehtë në selinë rozë, edhe pse kreu i saj kërkon që gjithçka ta lërë në momentin e fundit. Por zhvillimet në PS, në tre vitet e fundit, tregojnë se kryesocialisti do të përpiqet që të ketë pranë vetes emra të rinj me të cilët e ka më të lehtë të bashkëpunojë, dhe jo të pabindur siç ka pasur deri tani. Në tre vite PS është përballur me shumë probleme brenda radhëve të saj. Fillimisht kreu i sapozgjedhur u përpoq të bënte një punë sa më bindëse për të treguar risitë që ai do të sillte. Por kjo nuk ishte aq e lehtë, çka u duk dhe më mirë në përplasjet me deputetët mbështetës të ish-kryetarit Fatos Nano, të cilët më pas edhe u përjashtuan nga grupi për shkak se shkelën vendimet e marra nga strukturat e partisë. Kjo bëri që grupi të ndahej në të Ramës dhe në të Nanos, një përcaktim që sot duket se e ka humbur kuptimin. Sot ata që ishin dalluar si mbështetës të ish-liderit socialist, kryesisht janë larguar, ndërsa ata që janë ende në grup po përpiqen të fitojnë besimin për të siguruar dhe një mandat tjetër. Por në PS ekziston dhe një tjetër ndarje, ajo mes të rinjve dhe të vjetërve. Të rinjtë ndihen më të qetë, se kanë mbështetjen e kryetarit, por edhe të vjetrit nuk mbeten pas, duke u përpjekur të venë theksin jo tek mbështetja për lidershipin socialist, por tek eksperienca e gjatë e tyre politike dhe tek popullariteti që kanë në parti, edhe pse kjo nuk u jep atyre siguri të plotë. Përveç dy burimeve të prejardhjes së kandidaturave për deputetët, figurat e spikatura të qarqeve do të jenë një tjetër burim që do të plotësojë listën e plotë me 100 emra të kandidatëve për deputetë. Kjo është deklaruar dy muaj më parë edhe nga Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare. "Në krye të listave do të jenë emra të spikatur të qarqeve", - është shprehur Rama, duke përcaktuar se ai dhe mjaft figura të tjera të PS-së do të jenë në fund të tyre, çka sipas Ramës, presupozon që emrat që do të vijnë direkt nga baza kanë më shumë shans të zgjidhen deputetë. Kjo nuk ka tingëlluar mirë tek veshët e shumë eksponentëve të PS-së, të cilëve u vihet në rrezik në këtë mënyrë jo kandidimi, por rizgjedhja.
Ky lajm është publikuar: 09/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›