Rama- Berishës: Jeta ime, jo më e shtrenjtë se e 3 të vrarëve
“Sali Berisha ka konsumuar veprën e grushtit të shtetit duke përdoruar qeverinë për të asgjësuar drejtësinë, veçanërisht Prokurorinë e Përgjithshme”. Kjo ishte deklarata e kreut të opozitës Edi Rama i cili këmbënguli se nuk do të ketë hap prapa dhe se Sali Berisha do të dorëzohet. Rama iu përgjigj akuzave të kryeministrit Berisha duke thënë se “Sali jeta ime nuk është më e shtrenjtë se jeta e atyre 3 shqiptarëve të shkretë që i vrau dora jote. Unë jam në betejë bashkë me të tjerët, për të çuar përpara një ëndërr të marrë peng, ëndrrën për një Shqipëri europiane, ku populli voton lirisht”. Rama këmbënguli se nuk ka asnjë hap mbrapa, nuk ka asnjë lëvizje nga pozicioni i qartë dhe i drejtë. “Ne nuk e konsiderojmë dhunën një instrument të përdorshëm në kushtet e një beteje për një Shqipëri më të mirë. Kjo është e vërteta jonë e gjithë rrugës nga vijmë dhe ku do të shkojmë, pavarësisht çmimit që do të na duhet të paguajmë, sepse liria të drejtat, bashkëjetesa me barazi përpara vendit tënd nuk ka çmim”, u shpreh Rama. Kryetari i PS-së komentoi edhe akuzat e kryeministri Berisha adresuar ndaj kryeprokurores Ina Rama. “I drejtohet prokurores Ina Rama, me akuzën se paska marrë në mbrojtje eksponentët e opozitës, ata të cilët janë akuzuar me prova e fakte të pakundërshtueshme sipas Saliut, gjatë viteve të qeverisjes socialiste, po cilët ka marrë në mbrojtje prokuroria, Fatosin apo Ilirin që të dy i kemi parë krah për krah me Saliun?! Akuzat e ngritura mbi bazën e etheve për gjithçka për të mbajtur karrigen e pushtetit”, deklaroi kreu socialist. Rama i drejtoi edhe një apel ndërkombëtarëve ku u kërkoi atyre, që sipas tij të mbrojnë vlerat e demokracisë në Shqipëri.