E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi, hetim Ina Ramës dhe Bahri Shaqirit të SHISH

SHKRUAN: Fejzi Braushi 24-01-2011 10:58

Kuvendi i Shqipërisë do të hetojë veprimtarinë dhe përgjegjësinë e organizatorëve të demonstratës së përgjakshme të 21 janarit, si dhe të organeve të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit, si Shërbimin Informativ Shtetëror, Prokuroria apo Policia. Me 73 vota pro dhe pa praninë e opozitës, Kuvendi ka miratuar dje në një seancë të jashtëzakonshme, ngritjen e një komisioni të posaçëm hetimor parlamentar, për hetimin e revoltës së opozitës, ku u tentua të merrej me forcë Kryeministria. Objekt i punës së këtij komisioni parlamentar do të jetë, ndërmjet të tjerave, hetimi i veprimtarisë së organeve të inteligjencës, të cilat sipas mazhorancës nuk arritën të paraqesin asnjë të dhënë për rrezikun që mbartte demonstrata, me përfshirjen e elementëve kriminal në të. Hetimit parlamentar pritet t’i nënshtrohen edhe organizatorët e kësaj demonstrate, për përgjegjësitë e tyre për përmbushjen e detyrimeve që dalin nga ligji “Për Tubimet”. Natyrisht, pjesë e hetimit nuk do të jetë vetëm pjesa që i parapriu, apo mënyra sesi funksionuan institucionet gjatë momentit të demonstratës, pasi në vendimin e miratuar dje, objekt i punës së këtij komisioni do të jetë dhe mënyra sesi veproi Prokuroria e Përgjithshme në procesin hetimor, menjëherë pas shpërndarjes së demonstruesve. Komisioni Hetimor do të ketë 11 anëtarë, nga të cilët 6 do të jenë përfaqësues të mazhorancës, e cila do të ketë gjithashtu dhe kryetarin.

Vendimi i plotë

Kuvendi i Shqipërisë vendosi:

I. Ngrihet komisioni hetimor i Kuvendit, për shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh për të hetuar veprimtarinë e institucioneve shtetërore për zbulimin, identifikimin, përballimin, neutralizimin, pengimin dhe ndëshkimin e veprimit të

organizuar kriminal për dhunimin e institucioneve dhe përmbysjen e rendit kushtetues në datën 21 janar 2011.

II. Objekti i punës së komisionit hetimor është:

a) Hetimi rreth veprimtarisë së aktorëve të përfshirë për zbatimin e ligjit nr. 8773, datë 3.04.2001 "Për tubimet" në demonstratën e datës 21 janar 2011.

b) Hetimi rreth veprimtarisë së institucioneve shtetërore, sipas kompetencave të përcaktuara në legjislacionin respektiv, për zbulimin dhe identifikimin paraprak të kërcënimeve dhe sinjaleve për organizimin e veprimit kriminal për përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues, si dhe masat konkrete të marra për parandalimin, neutralizimin, pengimin dhe përballimin e dhunës gjatë ngjarjeve që shoqëruan tentativën për përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues.

c) Hetimi rreth veprimtarisë së organeve të zbatimit të ligjit për identifikimin, kapjen dhe neutralizimin, pengimin e ekzekutorëve, identifikimin dhe kapjen e nxitësve dhe organizatorëve të dhunës kriminale.

ç) Hetimi rreth veprimtarisë së organeve të zbatimit të ligjit dhe masave të marra për zbardhjen e shpejtë e të plotë të fakteve, ngjarjeve dhe përgjegjësive të individëve, ideatorëve, ndihmësve dhe bashkëpunëtorëve për dhunën dhe tentativën për përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues.

d) Hetimi i zbatimit të ligjit, gjatë hartimit dhe ekzekutimit të detyrave në kuadër të planit të masave që organet shtetërore të ngarkuara me ligj përgatitën dhe zbatuan me qëllim respektimin dhe garantimin e zbatimit të detyrimit ligjor të mbrojtjes së institucioneve kushtetuese të vendit.

dh) Hetimi për masat e marra nga organet e zbatimit të ligjit, për neutralizimin përfundimtar të tentativës, për përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues dhe për garantimin e paprekshmërisë së institucioneve dhe të të drejtës për tubim paqësor.

e) Propozimi i ndryshimeve të nevojshme legjislative, me qëllim realizimin e një sistemi efektiv të ushtrimit të së drejtës së tubimit paqësor, si një e drejtë e pamohueshme në një shoqëri demokratike dhe parandalimit e goditjen efikase të dhunës kundër institucioneve shtetërore, si një realitet i papranueshëm në një shoqëri demokratike.

III. Hetimi i komisionit parlamentar nuk shtrihet për ato çështje dhe rrethana, për të cilat Prokuroria e Republikës së Shqipërisë ka filluar apo do të fillojë procedim penal sipas ligjit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›