E Shtunë, 31 Tetor 2026

I jepet lamtumira e fundit 22-vjeçarit Bardhosh Myrtaj

13/04/2011  Familja larg kamerave dhe medies. I riu pak para se të vdiste postoi shprehje të trishta në Facebook

FIER- I është dhënë lamtumira e fundit 22- vjeçarit Bardhosh Myrtaj banues në fshatin Kreshpan të rrethit Fier. Qindra qytetarë, miq dhe të afërm kanë marrë pjesë në ceremoninë mortore. Trupi i pajetë i të riut 22-vjeçar do të prehet përjetë pranë varrit të babait të tij 55-vjeçar Faik Myrtaj vrarë në demonstratën e 21 janarit në Tiranë. Të dy babë e bir prehen tashmë në varrezat publike të fshatit Kreshpan.

Ceremonia mortore

Në ceremoni kanë marrë pjesë edhe deputetë të PS të rrethit Fier kryesuar edhe nga kryetari i grupit parlamentar të PS Gramoz Ruçi. Ceremonia mortore ishte planifikuar nga të afërmit të zhvillohej mesditën e djeshme në orën 14, por ajo është shtyrë pasi kanë pritur disa të afërm të familjes emigrantë në shtetin fqinj në Itali. Ajo që të binte në sy ishte heshtja e të pranishmëve. Familjarët e viktimës nuk kanë lejuar në mënyrë absolute që kamerat të ishin të pranishme në ceremoninë e lamtumirës. Ata kanë larguar median nga varrezat e fshatit duke shmangur kështu çdo lloj komenti apo analize për ngjarjen e rëndë. Ditën e djeshme i riu 22-vjeçar Bardhosh Myrtaj vrau veten me një armë zjarri tip pistoletë në vendin larg qendrës së fshatit në një kodrinë ku vendasit e quajnë “Antenat” në fshatin Kreshpan disa qindra metra larg shtëpisë së tij. Ai u gjet nga një prej dajave dhe vëllait të madh në këtë vend, ndërsa policia deklaroi pas hetimeve intensive se i riu ka vrarë veten me një plumb në kokë. Ekspertë të policisë kriminale në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier pohojnë se djaloshin e kanë gjetur me pistoletë në dorë dhe një plumb të vetëm në kokë, madje kanë gjetur edhe gëzhojën aty pranë. Përflitej se djaloshi kohët e fundit ka qenë në depresion të thellë dhe vazhdimisht lotonte për të atin e tij të vrarë muaj më parë. Ai përsëriste shpesh frazën: Kush na e vrau babanë dhe si do ta marrim hakun? Ai njihej si një djalë i qetë dhe i mbyllur në vetvete. Sipas familjarëve, pak para se të vritej djali kishte marrë në telefon vëllain më të madh Ajetin ku i kishte lënë një porosi për një plaçkë në shtëpi se ku e kishte fshehur, dhe më pas dajën e tij, i cili në ato momente ishte në Fier. Mësohet se djali i kishte thënë të merrte motorin e tij në vendin e quajtur “Antenat” dhe se Bardhoshi i kishte thënë shprehimisht këto fjalë: Ajetit nuk guxova t’i thosha, por ty po të them se nuk do të më shihni më”, dhe e kishte mbyllur celularin. Daja e të riut kishte shkuar menjëherë në vendngjarje së bashku me vëllain e madh të Bardhoshit dhe e kishte gjetur të gjakosur me pistoletë në dorë dhe me plumbin e vetëm në kokë. Në profilin e tij në Facebook djaloshi kishte lënë dy mesazhe të trishta: “Nëse ke zgjedhur rrugën tende atëherë zgjidh më të mirën se unë fitova lotarinë. Çdo gjë është e mirë në këtë botë, po kur humbet të ngushtohen rrugët”. Ndërsa shkruante për veten e tij se: “Jam një tip jo shumë i hapur, jam shumë i qetë, skuadra e preferuar është Barça”.

Familja Myrtaj

Në familjen Myrtaj kanë ngelur tashmë 3 persona, nëna dhe 2 djemtë e saj, djali i madh Ajeti dhe më i vogli Blero. Brenda 3 muajve familja humbi kryefamiljarin Faik Myrtaj vrarë në demonstratën e 21 janarit dhe djalin e dytë të saj Bardhoshin. Vetë familjarët kanë preferuar të qëndrojnë larg deklarimeve mediatike. Ndërsa gjithçka është zhvilluar larg syve të medies dhe në distancë. I vetmi që ka pranuar të japë deklaratë ka qenë anëtari i Asamblesë së PS-ës për qarkun Fier, njëherësh edhe kandidat i pavarur për komunën Cakran, Kujtim Sherifi.

Dy janë faktorët përgjegjës për vdekjen e djalit të Faik Myrtajt, sipas Sherifit. I pari është moszbardhja e autorëve të 21 janarit dhe i dyti është braktisja nga shteti dhe politika e familjeve të viktimave të 21 janarit. Kështu ka deklaruar Sherifi, ndërsa shton se vetmia dhe braktisja e familjes edhe nga të afërmit që janë në emigrim në këtë periudhë, la dhe krijoi terren që 22-vjeçari Myrtaj të vrasë veten ditën e djeshme. “Ishte pasoja kjo, se shkaku duhet kërkuar tek pasiguria që ka sot individi për të jetuar. Nuk u gjet autori i vrasjes së 21 janarit dhe shteti duhet të ishte më i përgjegjshëm. Djali është shoqëruar këto kohë, sipas meje nga probleme të forta, të cilat erdhën si pasojë e gjithë asaj që ndodhi përpara pak muajsh. Ndërkohë, ishte një djalë i ri dhe kërkonte të kishte afër më shumë njerëz që t’i flisnin e të mbështesnin, por tani siç po ndodh gjithandej, të gjithë të afërmit e tij i janë në emigrim dhe të gjithë shohin hallet e tyre. Megjithatë, unë mendoj që këtë rast duhet ta shohim më gjerë, tek politika që duhet t’i qëndronte më pranë dhe tek shteti që duhet të gjente autorët”, - ka vijuar Sherifi. Ndërkohë, të gjitha shpenzimet e ceremonisë mortore, mësohet t’i ketë hequr Bashkia Fier. Madje për rastin në fjalë ka qenë i angazhuar personalisht kreu i Bashkisë, Baftjar Zeqaj. Edhe dje në respekt të familjes Myrtaj, Partia Socialiste nuk ka zhvilluar asnjë aktivitet elektoral, duke ndërprerë kështu axhendën e takimeve për të dytën ditë rresht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›