Rama : PS e gatshme për konsensus, Presidenti test për integrimin
Lideri socialist Edi Rama i ka bërë thirrje palës tjetër të hiqet dorë nga interesat politike dhe të vendosen në plan të parë interesat kombëtarë, marrja e statusit të vendit kandidat në BE. Në një konferencë për shtyp ai shprehu gadishëmrinë e PS për tu bërë pjesë e cdo ftese të mazhorancës për diskutime, lidhur me arritjen e konsensusit për President.
“Jemi të gatshëm që tani, në cdo orë ditën e natë që para raundit të katërt të dalim para shqiptarëve e tu themi: U arrit marrëveshja e domosdoshme. Nuk kemi në këtë proces asnjë tundim që të cfokusohemi nga qëllimi i madh që mishëron interesin kombëtar. Nëse do ishim shumica, nuk do të ishim ngritur nga tavolina pa i dhënë zgjidhje bashkë me pakicën për këto probleme.PS deklarohet e gatshme për të pritur çdo ftesë për të gjetur zgjidhjen.Besoj se mundësia për konsensus është afër, pikëtakimi mes qeverisë dhe opozitës në funksion të konsensusit nuk është as i pamundur, por përkundrazi është afër. Dua të shoh anën pozitive të ngjarjes së sotme për tunelin e Kërrabës dhe ashtu si shumë pak gjë e ndante sot, shumë pak gjë e ndan dhe qeverinë me opozitën sot për të hapur dritën në tunelin e një krize që duhet të mbarojë dhe për t`i hapur rrugë një procesi dakordësimi përmes dialogut, mirëkuptimit edhe për ato tre momentet e tjera të nënvizuara prej nesh dhe jo të shpikura prej nesh”tha kryesocialisti.
Duke e vlerësuar maksimalisht rëndësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat, Rama theksoi se si kryeministër i ardhshëm pas zgjedhjeve 2013, dëshiron që Shqipëria ta ketë hedhur këtë hap drejt familjes europiane. Në këtë kontekst ai tha se nëse kjo nuk ndodh do ishte fatkeqësi nga vetë dora e politikës shqiptare në dëm të popullit dhe të ardhmes.
“Trajtuam atë që të bëjmë gjithçka mundemi se ka ende kohë për t`i dhënë Shqipërisë presidentin e të gjitha palëve dhe për t`i dhënë BE provën e parë të përgjegjshmërisë dhe të vetëdijes së klasës politike se Shqipëria evropiane është me rëndësishme se cdo plan i palëve politike. PS do qeverisë Shqipërinë vitin e ardhshëm, dhe si njeriu që mot me votat e shqiptarëve do kem përgjegjësinë për të drejtuar qeverinë e vendit nënvizoj se na duhet një Shqipëri me status të BE për të mundur që telashet që do trashëgojmë nga qeverisja e sotme ti përballojmë jo vetëm”- u shpreh Rama.