E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: 50% e fëmijëve braktisin shkollën

Në kuadër të nismës "Dialog me Shqipërinë", kryetari i PS-së, Edi Rama, ka vijuar dje turin në Rrethin e Matit, ku ka organizuar një tryezë për arsimin. Takimi me arsimtarë të këtij rrethi u organizua në natyrë, buzë lumit të Matit, në afërsi të fshatit Zenisht, rreth dy kilometra larg qytetit të Burrelit. Kryetarja e degës së PS-së të rrethit, Adelina Ferrici, shpalosi problematikën me të cilën ndeshet sistemi arsimor i këtij rrethi. Ndër problemet e evidentuara prej saj ishte braktisja e shkollës nga fëmijët që vetëm për këtë vit numërohen 38 nxënës, mësuesit pa arsim përkatës, alter-teksti i dështuar, subvencionimi i librave ku për këtë vit janë përjashtuar fletoret e punës etj. Padyshim, vijoi më tej ajo, matura shtetërore, si kudo edhe për Rrethin e Matit, është një dështim total i reformës arsimore që pretendon të ketë zhvilluar kjo qeveri. Kjo, për faktin se nga 750 maturantë që ka pasur rrethi i Matit për këtë vit, vetëm 300 prej tyre kanë fituar të drejtën për të qenë studentë. Dhe e gjitha kjo, sipas saj, ka ardhur nga mospërputhja mes programeve dhe teksteve shkollore. Ndërsa kryetari i PS-së, Edi Rama, u shpreh se 50% e fëmijëve shqiptarë braktisin shkollën, pa e mbaruar arsimin e detyruar. "Braktisja e shkollës prej tyre vjen për faktin se atyre u mungojnë kushtet e nevojshme për një vijueshmëri normale të shkollës. Sipas statistikave zyrtare, thuhet se vetëm 10% analfabetizëm ka te ne, por për këtë nuk është bërë asnjë test, pasi shifra reale e analfabetizmit të fëmijëve është shumë herë më e madhe", tha Rama. Aktualisht plagët kryesore me të cilat përballet arsimi, vijoi më tej kryesocialisti Edi Rama, janë: "analfabetizmi, braktisja dhe prapambetja e fëmijëve në mësime, të cilat vijnë nga paaftësia e qeverisë për plotësimin e kushteve për fëmijët, si ndërtimi i urave që ata të kalojnë lumenjtë për të shkuar në shkollë, ndërtimi i shkollave dhe sigurimi i librave shkollorë për ta. Nuk mund të pajtohemi me një qeveri që nuk çon fëmijët në shkollë. Nuk mund të pajtohemi me klasat kolektive ku një mësues këtu në një fshat të Matit bëka mësim në 5 klasa kolektive, ku i bie të zhvillojë orën e mësimit vetëm nëntë minuta. Me ardhjen e PS-së në pushtet, arsimi do t‘i nënshtrohet një reforme të re totale, për ta afruar atë me vendet e BE-së, ku pretendojmë të shkojmë edhe ne", e përfundoi fjalën e tij kryetari i PS-së, Edi Rama.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›