Rama: Afati dyjavor ultimativ, po pengohet integrimi i vendit
Kreu socialist, Edi Rama, i bëri apel Kryeministri Berisha të respektojë afatin e dhënë nga ndërkombëtarët për zgjidhjen e krizës. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Rama tha se afati dyjavor i vendosur nga komuniteti europian është ultimativ, në të kundërt pengohen proceset integruese të vendit. "Afati dyjavor, ka padyshim një përmbajtje ultimative, të cilën zoti Berisha njësoj si unë, nuk ka asnjë arsye as ta dyshojë, e as ta mohojë, përderisa na është thënë fare shkoqur nga miqtë dhe partnerët e Shqipërisë, edhe publikisht, se çfarë kostoje do të kishte për vendin moszgjidhja e problemit të transparencës brenda këtij afati. Ndaj, unë i përsëris Kryeministrit thirrjen për të dëgjuar zërin e arsyes dhe për ta harruar se mund ta hedhë lumin e kërkesës popullore për transparencë, duke notuar mbi mjetet rrethanore të justifikimeve me kutitë e mbyllura në krah", u shpreh Rama. Duke folur për takimin me ekspertët e Brukselit për zgjidhjen e krizës, Rama sqaroi edhe njëherë qëndrimin e PS për fletët e votimit. "Ne asnjëherë nuk kemi kërkuar rinumërim për efekt të rezultatit, por kemi kërkuar hetim të fletëve të votimit për efekt të transparencës, si pjesë e hetimit të përgjithshëm, ku përfshihen padyshim kutitë e zgjedhjeve të 28 qershorit për dy arsye, të thëna dhe të stërthëna, që nuk do të lodhemi së përsërituri. Nga njëra ana për të marrë të gjitha masat që me gjetjet e hetimit të përmirësohet kuadri ligjor i zgjedhjeve dhe nga ana tjetër, për të çuar para organeve të drejtësisë çdo përgjegjës që individualisht identifikohet shkelës gjatë procesit të hetimit", sqaroi kreu socialist. Në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave, Rama i bëri thirrje Berishës të mos e pengojë më tej këtë proces për shqiptarët. Sipas kreut të opozitës, Europa kërkon plotësimin e disa standardeve dhe kjo është detyrë e Qeverisë. "Berisha flet për premtime të mbajtura, ndërsa Europa flet për plotësim kushtesh. E ftoj Berishën të mos ua pengojë më shumë këtë proces shqiptarëve. Heqja e kufijve nuk mund të kryqëzohet me asgjë dhe me kurrgjë. Shqiptarët e dinë fare mirë përpjekjen që opozita ka bërë për liberalizimin e vizave", theksoi Rama.