Rama, Ahmetaj&co, kompetentë për punët e Greqisë

Zëvendësimi i skenarit tunizian me skenarin grek, siç u propagandua dje nga PS, s’ka asnjë lidhje me Shqipërinë. Shkatërrimi i Greqisë s’mund të sjellë shkatërrimin e rajonit, aq më pak të një kombi mbijetues si shqiptarët, por ëndrra e Edvinit duket më e besueshme kur e thonë kompetentë për punët e Greqisë si Arben Ahmetaj me shokë
Duket se për opozitën socialiste s’kanë të kryer krahasimet e Shqipërisë me vende të destabilizuara si Tunizia, Libia apo edhe Greqia së fundmi. Pasi dështuan në mënyrë spektakolare me revolta popullore dhe demonstrata kundër pushtetit qeveritar, të majtët po ngjallin panik duke e krahasuar Shqipërinë me situatën kritike greke, edhe pse logjikisht këto dy vende s’kanë asgjë të përbashkët përveç afërsisë territoriale apo të qenurit dy vende fqinje. Mos përputhshmëria lidhet me disa arsye të forta; Greqia ndodhet në një kolaps të egër ekonomik, teksa shteti po shkon drejt humbjes së sovranitetit, me qëllim shlyerjen e borxheve dhe përfitimin e donacioneve të radhës nga Bashkimi Evropian; Greqia, për herë të parë në historinë e saj moderne, është e detyruar të ndërpresë pagat dhe pensionet për një periudhë pa afat, pasi paralajmërimet e ekspertëve ekonomikë janë se, ky shtet ka të ardhura financiare për të mbuluar shpenzimet vetëm për një muaj. Ndërsa në anën tjetër, krahasimi me Shqipërinë është sa i pa përshtatshëm aq edhe absurd në dukje, sepse flasim për dy realitet krejt të ndryshme. Një Greqi që ndërpret pagat dhe pensionet dhe një Shqipëri që i rrit ato në mënyrë proporcionale vit pas viti, në bazë të kontratës me qytetarët.
Në Athinë “vlojnë” protestat si shenjë pakënaqësie ndaj planit të masave të qeverisë greke, të cilat janë kryekëput vendime për shkurtimin e shpenzimeve dhe përfshijnë ndërprerjen e pagave dhe pensioneve për kategori të caktuar. Realiteti shqiptar është krejt ndryshe dhe i papërputhshëm me alarmin apo paralajmërimet dashakeqe të socialistëve. Kësisoj, deputeti socialist Arben Ahmetaj deklaroi dje përmes një konference për shtyp se ekonomia shqiptare është në alarm prej kohësh ndërsa theksoi se Qeveria po e rëndon gjithnjë e më shumë situatën.
“Taksa e sheshtë jo vetëm që nuk ka ndihmuar biznesin dhe situatën ekonomiko-financiare në vend, por ka rritur ndjeshëm pabarazinë e qytetarëve. Vetëm së fundmi statistikat tregojnë se 4 për qind e shqiptarëve zotërojnë 55 për qind të depozitave bankare. Të njëjtin alarm që ka ngritur prej kohësh opozita për sa i përket nivelit ekstrem të borxhit publik që i rëndon çdo ditë e më tepër qytetarëve në standardet e veta të jetesës. Kryeministri po e shtyn Shqipërinë drejt një krize edhe më të thellë se ajo që ka mbërthyer Greqinë, pasojat e së cilës do t’i vuajnë qytetarët në dietë të këtij vendi”, deklaroi deputeti Ahmetaj.
Edhe pse opozita është jashtë sferës ekonomike dhe sociale të vendit, përsa kohë refuzon të marrë pjesë në institucione, s’mungojnë komentet dhe kritikat e pabaza, thjesht e vetëm për të përçuar në opinionin publik aktin e radhës të gënjeshtrës së madhe të stisur nga humbësi i 8 majit, Edi Rama.
Nëse opozita mendon vërtetë për të ardhmen e shqiptarëve dhe të qytetarëve të këtij vendi, atëherë debatet për stabilitetin ekonomik duhet të shtrohen në linjë institucionale dhe jo përmes kërcënimeve të rrugës herë me rrugë zgjidhje tuniziane dhe herë me atë greke...