E Shtunë, 31 Tetor 2026

Profesionalet, koeficientë maksimalë

02/03/2009  Matura 2009-2010, skema e përzgjedhjes së fituesve mbetet e njëjtë 20 me 80 %

Lista e koeficientëve të llojit shkollave të mesme publikohet më 25 prill

Shkollat e mesme profesionale do të vlerësohen me koeficientë maksimalë në provimet e maturës shtetërore për pranimet në universitete gjatë vitit akademik 2009-2010. Specialistët e arsimit pohojnë se edhe për këtë vit do të jenë në dispozicion të maturës dy lloje koeficientesh: ato të lëndëve me zgjedhje, që pritet të publikohen gjatë kësaj jave; dhe ato të llojit të shkollave të mesme, që do të publikohen më 25 prill. Për të shmangur problemet e lindura në provimet e viteve të shkuara, ku për shkak të koeficientit të ulët që kishin shkollat profesionale shumë maturantë nuk arritën të kualifikoheshin në degët e përzgjedhura pranë profilit për të cilin kishin mbaruar. Kështu, që për këtë vit është menduar që këto shkolla, të cilat janë të shumta në vend, të ketë një përkrahje duke i vlerësuar me koeficiente të lartë.

Llogaritja

Ndonëse ende nuk është përcaktuar zyrtarisht ndarja e koeficienteve sipas llojit të shkollave, ekspertët pohojnë se edhe për këtë vit për kategorizimin e llojit të shkollës së mesme do të ketë koeficientet nga 1 deri në 1.4, ku vlera maksimale do të jetë për shkollat profesionale. Çdo degë e shkollës së lartë ka në dispozicion 5 koeficiente, nga 1.0 deri në 1.4. (1.0, 1.1, 1.2, 1.3, 1.4), me të cilët vendos preferencën e saj për llojet e ndryshme të shkollave të mesme të grupuara në 10 grupe kryesore, që dallohen nga planet dhe programet që zbatojnë. Kështu, të gjithë kandidatët që përfundojnë vitin shkollor gjatë këtij viti, ose ata që e kanë mbaruar më parë pranë shkollave profesionale ekonomike, elektrike apo elektronike, do të vlerësohen me koeficientin maksimal, në rastet kur do të përzgjedhin për të konkurruar në degë të këtij profili. Megjithatë, lista e koeficienteve, të ndarë sipas llojit të shkollave, do të publikohet zyrtarisht më 25 prill, kohë kur pritet të nisë plotësimi formularit A-2, në të cilin maturantët do të listojnë dhjetë preferencat sipas rendit zbritës ku duan të vijojnë studimet e larta për vitin akademik që vjen. Gjithashtu çdo degë e shkollës së lartë do të shpallë propozimet edhe për lëndët me zgjedhje të profilit të saj, për të cilat do të kenë dy lloje koeficientesh në dispozicion nga 1.0 në 1.3.

Vlerësimi

Skema e vlerësimit edhe për këtë vit do të jetë e njëjtë. Kështu, provimet e maturës do të zënë rreth 80 për qind të skemës së vlerësimit dhe 20 për qind e mbetur do të përbëhet nga mesatarja e arritur prej nxënësve në katër vitet e shkollës së mesme. Sipas rregullores së miratuar, pak ditë më parë është vendosur që në testimet e këtij viti të mos ketë penalizime për nxënësit, në rast se këta të fundit do të japin përgjigje të gabuara, ose nuk do të plotësojnë fare pyetjen. Testet do të jenë të kombinuara ndërmjet pyetjeve me zhvillim dhe atyre me alternativë, kjo si për lëndët e detyruara, ashtu dhe për provimet me zgjedhje. Duke filluar nga dita e sotme, nis zyrtarisht procedura e plotësimit të formularit A-1 në të gjitha shkollat e mesme të vendit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›