Rama: Asnjë socialist të mos i flasë Metës me gojë
Po arrin pozicione qesharake gara për lidërship mes krerëve të dy partive kryesore të së majtës. Edvini ka thirrur sot Asamblenë e Partisë për t’u komunikuar nisjen e fushatës për mbledhjen e kandidaturave për zgjedhjet e ardhshme, por edhe për t’i kërcënuar se do të përjashtohet nga partia cilido që do të shprehë opinione pozitive për LSI-ënë. Panik nga mitingu i paralajmëruar i Metës, të enjten e ardhshme Asambleja Kombëtare Socialiste, që pritet të zhvillojë punimet sot, midis të tjerave, do të mundohet të bindë anëtarësinë e saj, për tradhtinë ndaj partive aleatëve, si dhe të justifikojë marrëveshjen me mazhorancën, për sa i përket Kodit të ri Zgjedhor. Nga ana tjetër, kjo mbledhje e kësaj Asambleje, e cila do të mblidhet sot, vetëm pak ditë para protestës së paralajmëruar të LSI-së, në qendër të Tiranës, do të ketë edhe funksionin tjetër, atë të karikimit të anëtarësisë së PS-së, përballë “armikut më të ri” të PS-së, sikurse është Ilir Meta dhe partia e tij. Në këtë kontekst, mbledhja e sotme e Asamblesë Kombëtare Socialiste, do të shërbejë për të trimëruar anëtarësinë e PS-së, duke vlerësuar Kodin e ri Zgjedhor, rrugën e tij deri te miratimi, por edhe duke artikuluar sulme verbale ndaj LSI-së. Këtë barrë e ka marrë përsipër Sekretari për Koordinimin dhe Çështjet Ligjore, Fatmir Xhafaj. Mësohet se në një raport të tijin që do të mbajë sot Xhafaj, do e servir marrëveshjen me mazhorancën si një realizim objektivi të partisë, ndërsa pritet të sulmojë LSI-në dhe të vlerësojë aleatët e tjerë, PSD dhe PDS. Në raportin e tij, mësohet se Xhafaj do e etiketojë reagimin e LSI-së, si “presion dhe kushtëzim joparimor”. “Ne kemi kërkuar që në krye të herës, veçanërisht nga aleatët tanë, që ky proces të jetë pa paragjykime dhe me një frymë të qetë komunikimi duke vlerësuar, se nuk mund të ndërtohet një proces bashkëpunimi real dhe i qëndrueshëm, bazuar apo paralel me një proces paragjykimi, mosnjohjeje dhe për më keq mbështetur në emocione personale, akuza, presione dhe mungesë etike komunikimi. Ne kemi pasur vlerësimet, alternativat, zgjidhjet e propozimet tona për reformën elektorale në tërësi e kodin zgjedhor në veçanti fryt i një ekspertize të gjerë profesionale, për të cilat është punuar për një kohë të gjatë me ekspertët e PS-së dhe të kthyera në vendimmarrjet përkatëse politike. Ne nuk kemi hezituar në asnjë rast t'i bëjmë publike këto pozicione, të ballafaqohemi me vlerësimet dhe opinionet e të tjerëve dhe jemi treguar të hapur të pranojmë çdo zgjidhje qe e përmirësonte procesin. Ne funksion të këtij qëllimi kemi kërkuar në mënyrë të vazhdueshme funksionimin e negociatave politike e teknike ndërmjet palëve, proces i cili ka funksionuar normalisht me dy partitë aleate PSD dhe PDS, ndërsa ka pasur si reagim presionin dhe kushtëzimin joparimor nga ana e lidershipit të LSI”, zbulohen pjesë të raportit që do të mbajë sot para anëtarësisë së Asamblesë Kombëtare Socialiste, Sekretari për Koordinimin dhe Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj. Në përpjekjet e lidershipit të PS-së, për të justifikuar mosmarrëveshjet mes partive të spektrit të majtë, pritet që objekt i diskutimeve të sotme të jenë “të mirat” e “çështjeve thelbësore që adreson Kodi i ri Zgjedhor”. Në këtë tentativë të tijën, Fatmir Xhafaj do i shpjegojë anëtarësisë së PS-së, sistemin zgjedhor për zgjedhjet e Kuvendit, subjektet zgjedhore, zonat zgjedhore, koalicionet, metodat e ndarjes së mandateve fituese, etj. Xhafaj do të bëjë kujdes t’ju shpjegojë anëtarëve të zhgënjyer të PS-së, edhe Institucionet e Administrimit të zgjedhjeve. ...