Takimi në Ohër, merr pjesë Presidenti Bamir Topi
Krerët e vendeve të rajonit, në Forumin Ekonomik Rajonal të Evropës Juglindore
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi ka marrë pjesë në Forumin Rajonal Ekonomik, i cili organizohet në Ohër, ku morën pjesë edhe Presidentët e Maqedonisë, Kroacisë, Bullgarisë, Bosnje-Hercegovinës e Malit të Zi, ndërkohë munguan me praninë e tyre Presidentin i Serbisë, Boris Tadiç dhe Presidentin e Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu. Forumi “Konkurrentë dhe partnerë në rrugën drejt BE” trajtoi tema që kishin të bënin me çështje të impaktit të krizës financiare në ekonomitë e vendeve të Evropës Juglindore, të infrastrukturës në rajon, të tregut të energjisë e veçanërisht të shkëmbimeve dhe të bashkëpunimit ekonomik e tregtar në këtë rajon.
Në fjalën e tij Presidenti Topi u përqendrua në bashkëpunimin e ndërsjellët, që duhet të bëjnë bashkërisht të gjitha vendet e rajonit për të përballuar ndikimin e krizës globale financiare, të energjisë dhe rrezikut të rënies ekonomike.
Gjatë vizitës në Ohër, çështja e Kosovës ka qenë në qendër të takimeve që Presidenti Topi zhvilloi me homologët e tij pjesëmarrës në Forum, Presidentin e Kroacisë Stipe Mesiç dhe Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç. Gjatë bashkëbisedimit me homologët, Presidenti Topi theksoi nevojën e pranimit të realitetit të ri gjeo-politik, të shtetit të Kosovës dhe bashkëpunimit ekonomik me të, në perspektivën e qartë euro-atlantike të mbarë rajonit.
Gjatë fjalës së mbajtur në Forumin Ekonomik Rajonal të Evropës Juglindore, Presidenti Topi i kushtoi rëndësi të veçantë çështjes së Kosovës, duke theksuar faktin se “realiteti i ri gjeopolitik i krijuar së fundmi në Ballkanin Perëndimor, si pjesë e proceseve integruese, shteti i ri i Kosovës, ka nevojë të inkurajohet duke u bërë pjesë e nismave dhe takimeve rajonale ku diskutohet për bashkëpunim rajonal, politik, ekonomik apo tregtar”. Duke iu referuar gjendjes aktuale në Kosovë, Topi u shpreh se “autoritetet e Kosovës po përpiqen me të gjithë seriozitetin e duhur dhe angazhimin civil të zbatojnë paketën ligjore Ahtisaari dhe Kushtetutën e tyre të re, ndërtuar me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, sipas standardeve më të larta të respektit të individit, pavarësisht prejardhjes së tij etnike apo fetare”.
Lidhur me shtrirjen dhe zbatimin e planit EULEX, Topi deklaroi se “procesi i zbatimit dhe shtrirjes së misionit EULEX në Kosovë nuk duhet të zvarritet, por në të njëjtën kohë duhet të vlerësojë realitetin e pakthyeshëm të pavarësisë dhe të sovranitetit të Republikës së Kosovës” u shpreh Presidenti i Republikës, Bamir Topi.
...