U humb greva e Kodit, Meta shpall donkishotizmin tjetër: Betejën për të mbrojtur votat që s’i ka

Kreu i LSI-së zbuloi dje aksionin politik, pas dështimit të grevës së urisë. Me dy kompani ndërkombëtare që do të sjellin vëzhgues për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Kreu i LSI-së thotë se do të mbrohet e drejta e votës, edhe pse s’ka prova se sa të tilla do të marrë në qershor të 2009
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka pranuar dje se do të shkojë në zgjedhjet e ardhshme kuvendore, por nuk do të heqë dorë nga protestat, të paralajmëruara për javën e ardhshme. Pak ditë pas mbylljes së grevës së urisë dhe miratimit të Kodit të ri Zgjedhor, Meta prezantoi një strategji që sipas tij do të mbrojë votat e shqiptarëve nga manipulimet e Ramës dhe Berishës siç u shpreh ai. Kjo strategji parashikon sipas Metës bashkëpunimin me kompani dhe organizma ndërkombëtarë, të cilët do sjellin në Shqipëri grupe pune për të monitoruar procesin zgjedhor por dhe atë parazgjedhor. “E kemi menduar që para miratimit të Kodit strategjinë për mbrojtjen e votës. 2 kompani do të vijnë në Shqipëri dhe do të përgatisin monitorimin që do t’iu bëhet zgjedhjeve nga figura të njohura të politikës dhe gazetarisë botërore. Nuk do të lejojmë që asnjë votë, e cilës parti qoftë të vidhet nga Rama e Berisha”, tha Meta. Kryetari i LSI-së, ka përmendur se do të zbarkojë përsëri shesheve javën e ardhshme, me protesta popullore, si shenjë pakënaqësie ndaj miratimi të Kodit të ri Zgjedhor. Vetëm një javë me parë, Meta së bashku me 9 deputetë të tjerë të partive të vogla u futën në një greve 8-ditore kundër miratimit të Kodit Zgjedhor. Meta e cilësoi si kriminal miratimin e kodit në parlament që sipas tij legjitimon një kastë kriminale.
...