E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama pranon pezullimin e hetimeve për dosjen e rrugës Durrës-Kukës

Ina Rama ka pranuar dhe pohuar dje pezullimin e hetimeve për dosjen e rrugës Durrës-Kukës, e imponuar nga një vendim më i fundit i Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës. Kryeprokurorja ka pohuar dje se megjithëse po zbatohet vendim i dhënë nga gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës, pak ditë më parë, çështja është ankimuar në Gjykatën e Apelit. "Gjykata e Tiranës para pak ditësh ka vendosur të shfuqizojë vendimin tonë për zgjatjen e afatit të hetimeve. Sigurisht që ky është një vendim gjykate. Qëndrimi jonë institucional është që ne nuk jemi dakord me këtë vendim dhe kemi bërë ankim ndaj në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Gjithsesi ky është një mendim që do të merret në konsideratë nga ana jonë për t'i dhënë rrugë hetimit të çështjes së rrugës Durrës - Kukës. Ne do të marrim në konsideratë mendimin e gjykatës me të cilin gjithsesi nuk ndajmë të njëjtin qëndrim, nuk jemi dakord dhe për të cilin kemi bërë ankesë. Për shkak të dispozitave të ligjit ne nuk mund të bëjmë veprime hetimore sepse vendimi i gjykatës i cili ndalon vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve, edhe kur ankimohet është një vendim që i ekzekuton efektet e tij, domethënë nuk pezullohet për shkak të ankimit që ne kemi paraqitur. Kështu që ne jemi të detyruar të mos bëjmë tani asnjë veprim hetimor nga ato që ishin parashikuar", tha kryeprokurorja Ina Rama.
Reagimi i kreut të akuzës shqiptare, vjen pasi gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e dy funksionarëve të lartë të shtetit që janë nën hetim për këtë çështje, Armand Teliti dhe Andi Toma. Ata pretendonin se shtyrja me një muaj e afateve nga prokuroria ishte e panevojshëm pasi ka më shumë se dy vjet që hetohet për këtë çështje dhe kërkuan që dosja hetimore t’i kalojë gjykatës.
Pas ankesës së teltit dhe Tomës, disa ditë më parë, Gjykata e Tiranës,urdhëroi Prokurorinë e Përgjithshme të Tiranës, që të mbyllë hetimet ndaj të akuzuarve për rrugën Durrës-Kukës dhe dërgimin e dosjes për gjykim në gjykatë. Trupi gjykues e cilësoi të drejtë kërkesën e Armand Telitit ish-zëvendësministrit të Transporteve dhe Andi Tomës ish-drejtorit juridik në këtë ministri. Teliti dhe Toma kishin kërkuar shfuqizimin e një urdhri të Prokurorisë, sipas të cilit hetimet për rrugën do të zgjateshin edhe një muaj nga 6 nëntori në 6 dhjetor të këtij viti.
Pas rreth një viti e gjysmë pas nisjes së hetimeve për rrugën Durrës-Kukës, atë çfarë nuk mundi ta bënte Prokuroria e ka urdhëruar Gjykata e Tiranës.
Përveç kësaj veprimet hetimore që janë kryer nga 6 nëntori e deri tani konsiderohen të pavlefshme për në gjykatë.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›