E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Atyre që mllefosen nga takimi me Metën u them se dialog bëjmë dhe me kundërshtarin

Share

Kryetari i PS nuk pranoi të komentojë një takim informal mes tij dhe Ilir Metës

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pas përfundimit të takimit me kryetarin e LSI, Ilir Meta, duket se e kishte merakun më shumë tek fakti se pse u takua me Metën dhe jo tek fakti se çfarë u bisedua.

Takimi i sotëm ishte rreth kuadrit të nismës sonë për të komunikuar me të gjithë drejtuesit e palëve parlamentare dhe për të eksploruar mundësitë e një procesi të dakordësuar në funksion të zgjedhjes së presidentit të Republikës, që të jetë mishërim i unitetit kombëtar dhe jo një noter partiak.

Kush çuditet apo mllefoset nga takimi im i sotëm me Ilir Metën, i them se kur flasim për dialog, ka dialog edhe me kundërshtarët, tha Rama.

Shqipërisë i duhet sot një president që të garantojë kalimin e kësaj prove të rëndësishme për marrjen e statusit, i duhet një president që të garantojë pavarësinë e institucioneve dhe të jetë garant i zgjedhjeve të ardhshme. SHBA dhe BE e kërkojnë, shqiptarët e kërkojnë, ne do bëjmë gjithçka që kemi në dorë duke vënë në dispozicion të gjitha energjitë tona në emër të kësaj kërkese. Ne nuk mund të predikojmë proces apo konsensus të nevojshëm dhe të domosdoshëm duke qëndruar në llogoren tonë dhe duke bërë sehir në llogoren e qeverisë. Është koha për të komunikuar me të gjithë në mënyrë që nga ky proces të dalë rezultati i pritshëm në funksion të interesit kombëtar, deklaroi Rama.

Ai nuk preferoi të komentojë pyetjet për një takim informal mes tij dhe Metës.


Më shumë nga Politika

Të gjitha ›