E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundon takimi Meta- Rama. Kreu i LSI: Ishte takim konstruktiv. Të nxjerrim mësime nga zgjedhjet në Greqi

Share

Takimi mes kryetarit të PS, Edi Rama dhe kryetarit të LSI, Ilir Meta, zgjati për thuajse një orë. U zhvillua në hotel Sheraton në Tiranë dhe në krah të Ramës ishte Gramoz Ruçi dhe në krah të Metës, Petrit Vasili.

Pasi doli nga takimi, Meta foli për mediat, duke kërkuar që të mos bëhej shumë zhurmë sepse ishin në hotel.

Zhvilluam takim me zotin Rama dhe Ruçi pas ftesës së bërë nga zoti Rama për të gjithë kryetarët e forcave politike. Bëj thirrje për thellimin e dialogut mes forcave parlamentare me qëllim themelor përmbushjen e disa objektivave imediate, të parashtruara nga zoti Fyle në vizitën e tij në Tiranë. Këto janë përmbyllja e reformës zgjedhore, reformës për rregulloren e parlamentit, zgjidhja e çështjes së imunitetit së zyrtarëve. Këto elemente të rëndësishëm duhen përmbyllur përpara se të nisë procedura për zgjedhjen e presidentit. Shqipëria duhet të marrë me çdo kusht dhe çdo çmim statusin e vendit kandidat. Të gjithë presim një lajm të mirë këtë vit, tha Meta.

Kryetari i LSI tha se takimi me Ramën ishte konstruktiv dhe deklaroi se duhen nxjerrë mësime nga zgjedhjet në Greqi.

Ishte një takim konstruktiv dhe ne shpresojmë që ky dialog të vijojë me intensitet ndërmjet gjithë aktorëve parlamentarë. E kam theksuar se është shumë i rëndësishëm një takim mes përfaqësuesve të PD dhe PS, por edhe një përfshirje e të gjithë aktorëve tjerë. Ne i pamë rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Greqi dhe pamë se problemet ekonomike e politike sjellin pasoja që nuk ndihmojnë zgjidhje më të mira. Vizita e zotit Fyle ishte një inkurajim i madh. Tani nuk duhet lejuar që kjo kohë e çmuar të shpërdorohet, tha Meta.

Duke folur për çështjen e presidentit, Meta tha se më shumë rëndësi ka procesi se emri. Lidhur me çështjen e presidentit, e kam theksuar edhe në të kaluarën se nuk është e rëndësishme zgjedhja e presidentit, por sa pozitivisht do ndikojë kjo që reformat të vazhdojnë edhe pasi të përfundojë zgjedhja e presidentit të ri dhe që vendi të marrë statusin e vendit kandidat bashkë me festimet madhështore për 100 vjetorin e Pavarësisë.

I pyetur për marrëveshjen me PD për zgjedhjen e presidentit, Meta tha se i qëndron asaj marrëveshje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›