E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama Berisha- Meta dyshja e korrupsionit

Kryetari i opozitës Edi Rama reagoi pas videos së publikuar të zëvendeskryeministrit Ilir Meta. Është një nga aktet e shumta të korrupsionit që ndodh nën çatinë e qeverisë së Berishës, deklaroi kryetari i opozitës, për të cilin akti më i rëndë ishte ai i mungesës së doreheqjes së Metës dhe ai i mos shkarkimit të tij nga kryeministri Berisha.

“Dorëheqja apo largimi janë e vetmja mënyrë për të lehtësuar barrën e një faji të këtij lloji para zgjedhësve dhe pastaj edhe peshën e gjykimit të popullit në zgjedhjet e ardhshme.  Kurse një qeveri që i ka vjedhur votat dhe synon t’i vjedhë ato përsëri, nuk dorëhiqet e as largohet sepse nuk varet prej votës së popullit po vetëm prej shkallës së durimit të tij” tha Rama.

Kreu i opozitës akuzoi dyshen Berisha- Meta si koalicionin e korrupsionit, që vodhën votën për të vjedhur shqiptarët.

“Mbrëmë u pa nga të gjithë, me zë e me figurë, një ndër episodet e panumërta që ndodhin prej kohësh nën çatinë e qeverisë së krijuar me vota të vjedhura për të vjedhur Shqipërinë. Ndërsa sot, u panë e u dëgjuan, të dy bashkë, kryeministri dhe zëvendësi i tij, kusari i zgjedhjeve të 28 qershorit dhe matrapazi i votave opozitare, t’u tregonin shqiptarëve se jo vetëm kanë vjedhur votat për të vjedhur Shqipërinë, po me fuqinë e shtetit të kapur e të parasë së pistë, duan të vazhdojnë të vjedhin votat e të plaçkisin gjithçka, madje duke u tallur me një popull të tërë” tha Rama.

Kreu i PS deklaroi se opozita do të reagojë konkretisht ndaj ketij akti, por vendimi do të merret në Asamblenë Kombëtare të pas dy ditëve.

”E di dhe e ndjej që shqiptaret presin një reagim të fortë, në lartësinë e detyrës sonë, prej nesh si partia më e madhe politike e vendit apo si koalicion opozitar. Dhe premtoj se ky reagim nuk do të mungojë. Pasnesër Asambleja jonë Kombëtare do të shpalle konkluzionet e vendimet përkatëse” tha Rama.

Rovena Moçka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›