E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha, antimiting si Ramizi

 

Aristir Lumezi

Kryetari Socialist Edi Rama e ka cilësuar festën e deklaruar nga Berisha më 8 dhjetor si antimiting. Gjatë një konference për shtyp në selisë e PS-së, Rama e njehsoi Berishën me Ramiz Alinë dhe me pushtetin komunist në rënie të viteve ‘90. “Kur shqiptarët kurajozë kapërcyen muret e ambasadave, diktatura komuniste e Ramiz Alisë e Sali Berishës, organizoi një miting gjigand me lista nëpunësish e punëtorësh të shtetit për të treguar se popullin e kishte me vete. Të njëjtën gjë bënë edhe diktaturat e tjera komuniste në Lindje, kur qytetarë protestues nisën të kërkonin liri e demokraci. Antimitingje të stërmëdha shtetërore u organizuan për të nënshtruar psikologjikisht popullin protestues, duke bërë në fakt efektin e kundërt”, u shpreh Rama. Kreu i selizë rozë, Edi Rama iu përgjigj dhe deklaratës së dy ditëve më parë të Kryeministrit Sali Berisha, për shkulje dhëmbësh e dhëmballësh me darët e ligjit. Sipas Ramës është shumë e rëndë që një kryeministër të flasë për dara dhe për shkulje dhëmballësh.
“Dikur Enver Hoxha thoshte rëndom do t’u shkulim dhëmbë e dhëmballë armiqve të revolucionit. Një Kryeministër që sot në mes të Evropës ëndërron darën në dorë, për të shkulur dhëmbët e dhëmballët e opozitës, madje as nuk e fsheh këtë ëndërr të dhunshme enveriane, është një turp i madh për vendin e tij, për popullin e tij, për vetë Evropën. Korrupsioni e ka mbuluar qeverinë Berisha. Berisha duhet të shkulë nga karrigia, ministrat e tij, zv/kryeministrin, të shkulë familjen që qeveris dhe veten e tij nga karrigia që mban”, u shpreh Rama. Kreu socialist kërkoi reflektim nga ana e maxhorancës, pasi hapja e kutive është e vetmja zgjidhje e pranueshme. “Sali Berisha të qetësohet dhe me qetësi të gjejë një mënyrë për të hapur kutitë e votimit. Jemi të hapur për të bërë së bashku hetimin e zgjedhjeve, pasi nuk ka rrugë tjetër përveçse të hetojë këto zgjedhje”, u shpreh Rama. Për kutitë, kreu i Partisë Socialiste ka kërkuar reflektim nga ana e maxhorancës, por në të njëjtën kohë, nuk i ka ndalur akuzat ndaj Berishës. “Gjendja mendore e Berishës është e rënduar, pasi fjalori që ai përdor tregon gjendjen e tij. Fjalori i Berishës është turp për vendin, fjalori i tij i ngjan fjalorit të Enver Hoxhës. Berisha drejton vendin me vota të vjedhura, duke ulur nivelin e demokracisë dhe qeverisjes”, theksoi Rama.

PS: Berisha nuk përfill gjykatat

Kryeministri Berisha nuk mund të përdorë si alibi të marrjes peng të kutive të votimit të 28 qershorit asnjë vendim gjykate, sepse siç tha deputeti Taulant Balla, nuk ka një vendim gjykate që bllokon hapjen e kutive nga komisionet e Kuvendit. Për opozitën këtë argument nuk mund ta përdorë ai kryeministër që nuk ka zbatuar vetë asnjë vendim gjykate. “Nuk mund të thotë se ka një vendim gjykate Berisha, që në katër vitet e fundit dhunoi 16 herë Kushtetutën dhe nuk zbatoi asnjë vendim të gjykatës”, ka deklaruar Balla. Sipas tij, nuk mund të festojë rrëzimin e murit të Berlinit në Shqipëri, ky sekretar partie i pandreqshëm, që në 8 dhjetorin e 19 viteve më parë, mbante në xhep teserën dhe paguante rregullisht kuotat e Partisë së Punës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›