E Diel, 1 Nëntor 2026

Pyetësori, Mirel: Kusht do të jenë kriteri politik dhe pronat

 

Drejtori i Përgjithshëm për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Pierr Mirel tha dje, se Brukseli do të ketë parasysh përpara se të miratojë Opinionin, kriterin politik dhe çështjen e pronësisë. Duke folur në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Integrimit, Mirel tha se: “Elementi i dytë, që është edhe shumë i rëndësishëm, janë kriteret politike. Dhe, në fakt, janë pikërisht këto kritere politike apo plotësimi i tyre parakushti për të rekomanduar apo për të mos rekomanduar një vend aplikant”. Lidhur me reformën në pronësi zyrtari i lartë i Komisionit Evropian theksoi se e drejta e pronësisë dhe respektimi për kontratën janë elementë të rëndësishëm brenda kriterit ekonomik. “Pra, duke parë pikërisht këto, ato që quhen disa nën/kritere të funksionimit të ekonomisë së tregut, për mua ndoshta njëra prej tyre është e rëndësishme dhe më vjen në mend, kjo është diçka që ka të bëjë edhe me shtetet e tjera në rajon, është çështja e pronësisë”, vijoi më tej Pierr Mirel. Por në të njëjtën kohë ai kërkoi që përgjigjet që do të çojë pala shqiptare në Komisionin Evropian nuk duhet të jenë të pakompletuara, pasi kjo do të detyronte Brukselin ti bënte sërish pyetje të tjera qeverisë. Mirel tha se Komisioni pret që përgjigjet të përgatiten brenda 3 muajve, por shtoi se nëse procesi duhet të zgjasë më shumë, ky afat mund të shtyhet. Ndërsa ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu tha se për t’iu përgjigjur pyetësorit do të angazhohet rreth 800 punonjës të administratës dhe 57 përkthyes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›