E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Akuzat e Martit, të vjetra dhe pa bazë vërtetësie

Reagimi: Grup i përbashkët prokurorësh shqiptarë dhe nga Haga verifikuan akuzat, rezultuan të pavërteta

Akuzave të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, ish-prokurorit Dik Marti, për trafik të organeve brenda territorit të Shqipërisë, u është përgjigjur me një reagim zyrtar Prokuroria e Përgjithshme, duke i hedhur poshtë ato. Nga ana e institucionit qendror të akuzës, këto akuza janë konsideruar të vjetra, të ezauruara dhe pas bazë vërtetësie. Sipas zëdhënësit të këtij institucioni, këto akuza janë verifikuar në terren dhe nuk ka rezultuar asgjë. Referuar deklarimit zyrtar të organit qendror të akuzës, verifikimi ka qenë i përbashkët në vitin 2004, nga prokurorë shqiptarë dhe një grupi të Prokurorisë së Hagës. Më tej në deklaratë, Prokuroria e Përgjithshme deklaron se për herë të parë dëgjon të përfshihet edhe Fushë-Kruja në këto akuza dhe se asnjëherë pala shqiptare nuk është bërë pengesë për asnjë autoritet që të ushtrojë detyrën në hetimin e kësaj çështjeje. Njëkohësisht, sipas deklaratës zyrtare, Prokuroria e Përgjithshme, në respekt të legjislacionit dhe konventave ndërkombëtare ku Shqipëria është palë, shpreh gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin me institucionet e specializuara ndërkombëtare.

Deklarata

Pas njohjes me përmbajtjen e projekt-rezolutës së Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që vjen si rezultat i raportit të përpiluar nga anëtari i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, ish-prokurori Dik Marti, dhe pas shqyrtimit të detajeve të shprehura në të, Prokuroria e Përgjithshme deklaron se “akuzat për trafik të organeve brenda territorit të Republikës së Shqipërisë të ushtarëve serbë të zënë rob gjatë luftës në Kosovë janë tashmë të vjetra, të ezauruara dhe pa asnjë baze vërtetësie”. Sipas organit qendror të akuzës, deklarimeve të ish-prokurores Carla del Ponte në librin e saj për një bazë në fshatrat e Burrelit ku pretendohej se kryhej heqja e organeve të ushtarëve serbë për qëllime tregtimi, i ka paraprirë në vitin 2004, një verifikim i një grupi të Prokurorisë së Hagës në bashkëpunim me prokurorë shqiptarë, që ka marrë në evidencë këto të dhëna në shtëpinë e supozuar si bazë për këtë qëllim. Në bazë të verifikimit të përbashkët të ekspertëve të Hagës dhe atyre shqiptarë, sipas deklaratës për shtyp të znj. Ina Rama, nuk ka rezultuar se të dhënat e parashtruara të kenë ndonjë bazë vërtetësie, ndaj Prokuroria e Shqipërisë nuk ka gjetur bazë për nisjen e çështjes penale. “Pretendimet e paraqitura së fundmi në raportin e anëtarit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Dik Marti, mbi ekzistencën e bazave të tilla ku presupozohet se janë kryer transplante, si në Fushë-Krujë a diku gjetkë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, janë të dhëna për të cilat Prokuroria e Shqipërisë nuk ka pasur asnjë dijeni dhe për të cilat nuk është njoftuar apo paraqitur kërkesë për hetim nga asnjë organ hetimor ndërkombëtar” vuri në dukje Prokuroria e Përgjithshme në reagimin e saj, duke shtuar se “Prokuroria e Shqipërisë, e cila gëzon besimin e organeve hetimore ndërkombëtare, besim që është forcuar nga profesionalizmi i treguar dhe shkalla e gjerë e bashkëpunimit me to, e deklaron të pabazë çdo insinuatë se institucionet shqiptare janë bërë pengesë për hetimin e kësaj çështjeje”.

Sollaku: Ndihmuam Hagën për hetimet, nuk gjetën gjë

Pas akuzave të Dik Martit për trafikun e organeve të robërve serbë nga shqiptarët që luftuan përkrah UÇK-së, ka reaguar edhe ish-prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku, i cili ka deklaruar gjatë një intervistë dhënë për Top Channel se, shteti shqiptar i ka dhënë të gjithë ndihmën e nevojshme gjykatës së Hagës, për të kryer hetimet në Shqipëri. Sollaku shprehet se gjatë një dreke pune me ish-presidentin Meidani dhe prokuroren Del Ponte, kur mbante postin e këshilltarit juridik në Presidencë, është shprehur vullneti i plotë i bashkëpunimit, por edhe gjatë kohës që ai ka drejtuar organin e akuzës shqiptare. “Më bëri një pyetje disi provokative, tha: Do kontribuojë Shqipëria nëse gjykata do të ketë nevojë? I shpreha gatishmërinë e shtetit shqiptar. Shqipëria e ka bërë të qartë se bashkëpunimi me Hagën do të jetë në lartësinë e duhur. Dhe kur u bëra kryeprokuror gjeta një letër nga Haga që kërkonte hetime dhe udhëzova kryerjen e hetimeve në Burrel”, - deklaron Sollaku. Edhe pse u kryen ekspertiza me mjete moderne për ekzaminime të njollave të gjakut të padukshme, në fund nuk u mor asnjë kampion i tyre nga ekspertët e Hagës, për shkak se rezultonin të bagëtive të therura. “Unë mendoj se në një kohë të dytë, nëse autoritetet serbe do të plotësojnë kërkesën, do të ishte mirë që duke i dhënë rrugë kësaj letërporosie të mbyllet përfundimisht kjo çështje”, - shprehet Sollaku. Ish-kryeprokurori shton se prokurorët serbë duhet të bëjnë edhe një tjetër kërkesë, sipas konventës në fuqi, që të kryhet sërish një hetim që do të mbyllë përfundimisht të gjithë zhurmën. “Mendoj se nëse do të ishte gjetur diçka serioze për hetimin, të paktën ata do të kishin marrë gjurmët e gjakut, gjë që nuk është bërë dhe mundësi tjetër për të marrë kampione ata nuk kanë pasur. Kjo tregon se interesi nuk ka qenë për të vazhduar më tej, sepse nuk kanë gjetur asnjë provë”, - shton Sollaku.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›